INUK, deputetët i kërkojnë llogari ministres Gjermeni për prishje ndërtimesh me dokumente

Postuar në 22 Prill, 2014 03:10

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, është përballur dje në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese, edhe me kritikat e deputetëve socialistë. Ngjarja e “çuditshme” ka gjetur pasqyrim edhe në shtypin e sotëm. Fjala është për deputetët e maxhorancës, Artan Gaçi dhe Fatmir Toçi dhe më pas demokrati Helidon Bushati, që kanë ngritur si shqetësime ndërhyrjet e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në objekte të caktuara, të cilat sipas tyre kishin certifikatë pronësie dhe leje legalizimi. 
Socialisti Gaçi deklaroi se nga kontaktet që ai ka pasur me qytetarët, ka marrë si shqetësim faktin se ndërtesat e prishura kanë qenë me dokumente të rregullta dhe kjo, sipas tij, është një katastrofë e vërtetë. 
“Për një pjesë që njihemi nga media, por edhe një pjesë tjetër nga kontaktet tona, një pjesë e tyre pretendojnë se janë në proces legalizimi apo kanë dokumente të rregullta e që po abuzohet me këto shembje. Kam rast konkret, që uroj të mos ndodhë, sepse do ishte shumë katastrofë. Janë disa pronarë të një objekti të privatizuar, pra të një prone që nuk ka dyshime pronësie, sepse është privatizuar nga shteti dhe një hotel a kamp punëtorësh, nuk ka rëndësi, në një vend të Shqipërisë, që i është çuar njoftimi për shembje dhe ata janë me certifikatë pronësie. Kjo do ishte shumë e rëndë për gjithë sistemin tonë dhe besoj do të ketë vëmendjen e duhur nga ministrja dhe përgjegjësinë përkatëse”, tha socialisti. Po ashtu, edhe deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, kërkoi që ndërhyrjet e INUK të jenë të matura në zonat bregdetare. Kreu i komisionit, Eduard Shalsi, i mbështeti kërkesat e kolegëve.

a.k 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.