Intervista/ Kritiku Mexhit Prençi: Kam shkruar sipas socrealizmit edhe pse kam pasur bindje liberale. Më kujtohej neni “55”. Në demokraci e refuzova krijimtarinë që bëra nën diktaturë

Zanafilla e veprimtarisë kritike të Mexhit Prençit është e kahershme, që nga fillimi i viteve ‘70. Por në këtë intervistë do përqendrohem te kolana “Kritika e përzgjedhur” që përfshin vështrime kritike, ese, studime dhe artikuj shkruar pas vitit 1990. Libri i parë “Kritika 1” botuar më 2008 ka në fokus kritik problemet e dramës, regjisurës, spektaklit dhe aktrimit; portretizimin e disa figurave të shquara të teatrit, filozofinë e kombëtares në rrafshin e dramaturgjisë dhe teatrit etj. Ndërsa “Kritika 2” botuar në 2010 është libër studimor për dramën dhe spektaklin e ndaluar, sistemin piramidal të censurës; dënimet, internimet dhe burgosjen e disa dramaturgëve e regjisorëve bashkë me veprat. Një vend të rëndësishëm zë edhe kritika e politizuar e kritikëve, studiuesve dhe estetëve të realizmit socialist. Ndryshe nga këto dy libra “Kritika III” me ese dhe profile poetike ka në fokus kritik krizën e vlerave në rrafshe të ndryshme. Pikërisht këtu mendova ta përqendroj intervistën me kritikun e njohur.
ResPublica: - Krizën e vlerave, në cilën fushë e shikoni më problematike?
Ku më shumë e ku më pak, në të gjitha rrafshet kriza është e pranishme: në kulturë, dramaturgji e teatër, letërsi dhe art, madje edhe në rrafshin e kritikës profesionale, së cilës i kam kushtuar vëmendje të posaçme. Gjithnjë më ka shqetësuar gjykimi kritik jo profesional, sidomos kur ky apo ai merr pozën e kritikut; po edhe kur kritiku profesionist shkruan kritikë entuziaste dhe konformiste duke mistifikuar dhe alibiuar vlerat. Në rrafshe të tjerë jam përqendruar te kriza e dramës dhe spektaklit, e raportit të dramës shqipe me dramën e huaj, te kriza e shijeve estetike, kriza e konsumimit në rrafshin politik e mediatik, kriza e personalitetit si sfidë ndaj perso-(nul)-i-tetit, etj.
ResPublica: - Si në të gjithë kritikën tuaj nga vitet 1990 e këtej edhe në këtë libër keni aplikuar kritikë ndryshe…
Po…. Kritika ndryshe është kritikë alternative, sipas dijeve e shijeve të kritikut të vetëorientuar në qasjen e të parit ndryshe dukuritë letrare, artistike dhe estetike, që nga rutinorja, e vjetruara dhe nga çdo faktor jashtëkritik dhe jashtëartistik. Kjo qasje refuzon çdo trysni të jashtme. Kritiku kërkon këndvështrime të reja në mënyrën e gjykimit kritik, ashtu siç e mendon ai, që të jetë vetvetja kritike me të mirat dhe të këqijat, me vlerat dhe jovlerat. Këtë kahje kritike kam përzgjedhur edhe unë. Kjo më ka liruar nga pushtimet e ndryshme që të gjykoj me liri të plotë. Disa e pëlqejnë kritikën time disa jo.
ResPublica: - Nuk të shqetëson kjo?
Aspak. Përkundrazi. Më gëzon. Këtë e konsideroj vlerë. Këtu shoh edhe elementin provokativ të kritikës. Njerëzit janë të ndryshëm nga çdo pikëpamje: nga shijet, kultura, aftësitë, individualiteti, vizionet. Pëlqimet apo ç’pëlqimet. Është normale, njëri ta pëlqejë e një tjetër mos ta pëlqejë një shkrim kritik, por jo tërësisht ta pëlqejë apo tërësisht të mos e pëlqejnë. Në këtë rast, o kritika është bërë me gjysmën e kokës, o lexuesi gjykon me gjysmën e kokës, ose të dy. Nëse një vepër: dramë, roman, poemë etj., gjykohet kësisoj, kritika nuk ka asnjë vlerë. Kritika ime alternative është sfidë si ndaj këtyre dukurive ashtu edhe ndaj kritikës së dramaturgjisë së realizmit socialist.
ResPublica: - Edhe ju keni shkruar sipas realizmit socialist para ’90-ës, keni qenë edhe botues i dramës në revistën “Teatër”. Si e shpjegon që shkrimet kritike para 1990-ës nuk i keni përfshirë në librin “Kritika III”?
Faleminderit për pyetjen. Është e vërtetë se edhe unë ashtu si gjithë të tjerët kam shkruar sipas asaj metode vrasëse e lirisë së mendimit, edhe pse kam pasur bindje liberale. Kujtoni Nenin “55”. Të guximshmit i rrasnin në burg. Më pak të guximshmit i largonin nga puna, i internonin ose i dërgonin në miniera apo fshatra për riedukim. Mua më degdisën në fshat, në kohën e zezë të plenumit të Katërt të Zi të 1973-it, për botimin e disa dramave në revistën “Teatër” (që drejtoja unë) dhe të disa artikujve botuar në shtypin e kohës, për të cilat u dënova të punoja në fshat për riedukim nga fshatarësia kooperativiste.
ResPublica: - Mund të citosh disa tituj veprash të ndaluara?
Po. Pa hyrë në arsyet e mosarsyes të ekipit të Komitetit Qendror të Partisë kryesuar nga Pipi Mitrojorgji, me një staf censuruesish të trashë, dogmatik dhe nursëz, asnjëri specialist i dramës, po përmend vetëm titujt dhe autorët e disa veprave: “Ishin të gjithë bijtë e mi” Artur Miler, “Jashtë bie shi” dhe “Një natë e shkurtër qershori” i Minush Jera, “Stuhi në prill” i Skënder Luarasit, “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, “Shoqja K dhe të tjerët” nga Mexhit Prençi etj.
Pas kësaj paranteze pak të gjatë, po ndalem të shpjegoj thelbin e pyetjes që më bëre: pse kritikën time të para 1990-ës s’e kam përfshirë në librat e kolanës “Kritika e përzgjedhur”.
Pas shembjes së diktaturës, duke monologuar dhe vetëdialoguar, madje edhe duke u grindur me veten time, dalëngadalë u lirova prej pushtimeve të dogmave socrealiste falë edhe bindjeve të mia liberale, po edhe përkatësisë klasore të prindërve të mi. Nga gjysma e dytë e dhjetëvjetëshit të parë të 2000-së, arrita divocimin me pjesën e ideologjizuar të ndërgjegjes sime kritike. Pikërisht tani më lindi ideja të përzgjedhja kritikën më të mirë që kam botuar pas 1990-ës, duke refuzuar çka kam shkruar në kohën kur mbretëronte realizmi socialist. Për mua kritikat e mia shkruar sipas socrealizmit nuk kishin më vlerë. Edhe shkrimet e papolitizuara nuk i përfshiva në kolanën e përzgjedhjes, sepse ndjehej lehtë fryma e asaj kohe dhe niveli artistik nuk u përgjigjej kërkesave të mia kritike të sotme. Sipas meje, kritika e ideologjizuar dhe politizuar jeton aq kohë sa ideologjia që e lind. Me rënien e saj bie dhe kritika. Ajo tashmë ka vetëm vlera arkivore dhe historike. Na ishte një herë…
ResPublica: - Në pjesën e dytë të librit “Kritika III” ju aplikoni kryesisht kritikën tekstore. Përse keni përzgjedhur këtë lloj kritike?
Sipas meje, kritika tekstore dhe komplekse është kritikë konkrete, mbështetet kryesisht në tekstin dhe nëntekstin poetik, në semantikën e tij, si në përcaktimin e vlerave dhe jovlerave ashtu dhe në vetëorientimin për të zbuluar atë që është e veçantë te poeti. Nuk operon me fjalë të përgjithshme, por duke evidentuar nëpërmjet analizës së tekstit origjinalen, atë që është specifike dhe personale e poetit. Kjo qasje është sfidë ndaj krizës së të qenit vetvetja e alibuar nga poeti vetë, miqtë e tij, por sidomos nga kritika entuziaste, konformiste dhe komerciale.
ResPublica: - Me ç’kritere keni bërë përzgjedhjen e poetëve që keni përfshirë në libër?
Nuk kam programuar të shkruaj për këtë apo atë poet. Kam lexuar herë pas here libra poetikë, ato që më kanë pëlqyer kam shkruar për to. Sipas Konicës, kritika është gjykim i vlerave dhe jovlerave të librit. Jam i prirë të pëlqej ata poetë që janë të veçantë, origjinalë, jo si gjithë të tjerët. Libri im nuk është antologjik. Është një libër me profile poetike që unë jam përpjekur të zbuloj dhe paraqes, sipas meje, personalen artistike të tyre që e kam pikasur që në leximin e parë. Përshtypja e parë nuk më ka zhgënjyer. Në studimin e mëtejshëm, gjatë analizës, kam motivuar impresionet e perceptimit të parë duke argumentuar pse më pëlqen kjo apo ajo poezi dhe pse nuk më ç’pëlqen ajo tjetra.
ResPublica: - Në punën tuaj kritike studimore për një apo tjetër poet, lexoni dhe analizoni gjithë krijimtarinë e tij apo edhe vetëm me studimin e një libri mund ta përcaktosh individualitetin poetik ?
Në përgjithësi mbështetem në gjithë librat poetikë të poetit. Në raste të rralla mbështetem edhe vetëm te një libër, tek ai që unë e shikoj më të vlertë, por ndonjëherë edhe vetëm në një cikël poetik me vlera të epërme. Rast i veçantë është kur një autor ka shkruar vetëm një libër poetik, siç është librit i Mirash Ivanajt “Epopeja e Njeriut”, i cili të këndell vështrimin kritik të japësh maksimumin për të dhënë profilin poetik të tij, si një poet elitar i viteve 1930, me personale artistike të spikatur. (Lexo në revistën “Sfidë” nr. 3 / Viti II i botimit, Verë-Vjeshtë, 2004. “Mirash Ivanaj edhe poet i shquar”)
ResPublica: - Termin “personale artistike” e përdorni shpesh, a nuk është njësoj si të thuash individualitet artistik?
Substancialisht ashtu është, por fjala “personale” sipas meje është më intime, më përcaktuese e asaj që është pjesë e qenies si poet dhe qytetar, shkrirë në një.
ResPublica: - Në librin tuaj keni përfshirë mbi shtatëmbëdhjetë poetë, ndër të cilët janë Xhevahir Spahiu, Pano Taçi, Ismail Kadare, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, Musa Vyshka, Faslli Haliti, Luljeta Lleshanaku, Xhevat Beqaraj etj. A mund ta konkretizosh se ku është e veçanta e njërit apo tjetrit?
Është vështirë me pak fjalë ta japësh në këtë intervistë atë që është personale poetike te secili, por mund të jap ndonjë element dallues p.sh. nga poezia e Xhevahir Spahiut dhe Pano Taçit: si e përjetojnë dhe shprehin dramën e mjerimit të njeriut. Panoja e ka përjetuar vetë këtë dramë. Xhevahiri e ka krijuar me fantazi duke e qëmtuar në realiteti. Të dy në mënyrën e vet e kanë realizuar me nivel të lartë artistik. Pano me emocione të forta, Xhevua me racionalitet, ku spikat inteligjencia. Janë edhe shumë elemente të tjerë të shumtë që bëjnë dallimin dhe diferencën e personales artistike të tyre si talente të veçantë. Po jap edhe një nga veçoritë e poezisë se Faslli Halitit me poezitë e Visar Zhitit. I pari kultivon një lloj poezie konkrete e realiste, me motive e tema të ditës, ku nuk mungojnë edhe poezi të me subjekte. Stigmatizon dukuritë negative të jetës socialiste, me vargje të lira nën ndikimin pozitiv të poezisë së Rico-sit; kritikon burokratët dhe në të njëjtë kohë adhuron diktatorin Enver Hoxha, e vetëm që të mos shqetësohet ai, rri edhe pa gjumë e bën edhe gjithçka, edhe pse e degdisi fshatrave të Myzeqesë për poemën “Dielli dhe rrëketë”.
ResPublica: - Po te poeti Zhiti ku e shikoni të veçantën?
Poezia e tij është poezi që buron nga shpirti poetik, i burgosur bashkë me larinë; një poezi që shkruhej nën terror me mjete rrethanore, madje në raste të veçanta jo në letër po në mendje, se po t’ia gjenin e ridënonin përsëri. Është një poezi moderne, metaforike e simbolike edhe tani në kohën e demokracisë së brishtë, ku fantazia e jashtëzakonshme dhe goditja e së keqes m’u në bërthamën e saj është element ndër më të rëndësishmit të personales artistike të tij. Ky është veç një element, të tjerët gjenden në tekst, ku jepet profili i tij i plotë poetik, ashtu si dhe profili i Faslli Halitit dhe poetëve të tjerë të fshirë në librin “Kritika III”.
ResPublica: - Në mbyllje të kësaj interviste po bëj një pyetje rutinë: pas këtyre tre librave voluminozë me shkrimet kritike botuar në: “Kolana e përzgjedhur” do të vazhdoni më tej?
Sigurisht. Librin e katërt e kam gati për botim. Po kërkoj sponsorizues. Më mbeten edhe dy libra të tjerë a më shumë, nga kritikat e përzgjedhura, plus të rejat që do të shkruaj.
Leonard Veizi
Add new comment