"Intelektualët" e peticioneve dhe "listat e punësimit si kartonangritës"

Postuar në 25 Shkurt, 2013 03:16

Pëllumb Kulla ka nisur një rubrikë në të përditshmen DITA. E ka quajtur “Aty ku sundon paraja”. Këtë të dielë është botuar esseja e parë e titulluar “Pse 140 dhe jo vetëm 2” ku autori rikthen temën e “intelektualëve të peticioneve”. Shkruan Kulla ndër të tjera me ironinë e tij të njohur:

“Dua t’i pyes tërë ata mjekë, infermjerë, artistë dhe sportistë: mirë e bëtë thirrjen, po përse ia drejtuat kryetarit të PS? Kryetari, Edi Rama, nuk ka të drejtë vote. Nuk voton, nuk është në sallën e Kuvendit. Përse i luteni atij?! Përse nuk ia drejtoni kërkesën dhe përgjërimin drejtpërdrejt atyre shtatëdhjetë deputetëve që mblidhen në Kuvend dhe që nuk i binden Topallit për të votuar?!...Letrën as e ideoi dhe as e hartoi ndonjëri nga ju njëmijët që e firmosët. Kështu ju thanë e kështu bëtë. Në zyrat e  asaj partie ju udhëzuan t’i bëni apel Ramës, se aty ashtu është stili. Berisha e di, se ashtu si në lëmin e vet, edhe në lëmin tjetër, i pari është ai që do të vendosë, t’i lejojë a t’i ndalojë, t’i shtyjë apo t’u bërtasë. Dhe detyrimisht te ai burri për karshi do t’ju drejtonte! Kjo është sëmundja e foshnjore e demokracisë shqiptare që gjallon me stilin vendimmarrës të PPSH-së...”

Kulla vë në shënjestër më pas Kuvendin, ethet e tanishme për një “vend në lista” dhe shkruan për “zanatin” e deputetit: “Janë ditë vendimtare tani dhe ndihet mirë zhurmërimi se po hartohen listat... Është çështje punësimi vëllezër. Një punë fare e lehtë: Kartonangritës! Nuk di, po kartoni peshon a s’peshon 4-5 gram –asgjë fare, pavarësisht nga ngjyra! Pastaj vetëm  njërin karton do të ngresh, nuk do këputësh mish, de! Dhe atë, katër e shumta pesë herë në muaj do ta bësh! Ama është një punë që paguhet mirë, përveç njëmijë leverdive të tjera që sjell pas vetes.... Dhe atëhere më piqet mendimi dhe dua t’u drejtohem tërë atyre punëtorëve të shëndetësisë, të artit dhe të sportit që ju drejtuan zotit Rama dhe t’i ftoj të bëjmë një peticion tjetër. Aty le të propozojmë që, në vend të njëqind e dyzet deputetëve, të venë atje në mejdan vetëm dy. Mirë, hajd, se dy janë pak: le të jenë katërmbëdhjetë! Kështu edhe llogaritjet e tre të pestave edhe takimet për marrëveshje janë më të kollajta edhe buxheti lehtësohet, sidomos tani në kohën e krizave....” (a.n.)

 

Kulla i plotë:

http://gazetadita.al/pse-140-dhe-jo-vetem-dy/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.