I kanë rrahur edhe në komisariat dhe kanë fshehur ngjarjen - thotë Totozani për videon e dhunimit të dy të miturve

Postuar në 27 Nëntor, 2012 12:41

Incidenti i dy ditëve më parë i përhapur në publik nga një video e rastësishme ku dukeshin dy punonjës policie duke dhunuar një të mitur, është më i rëndë. Avokati i Popullit sapo ka shpërndarë në media një njoftim ku lajmëron përfundimet e një hetimi të këtij institucioni mbi rastin - (bie në sy që të dhunuarit janë thuajse fëmijë, 14 dhe 15 vjeç, jo 17 sa ç'deklaruan fillimisht mediat), - në të cilin lexohet:

Lidhur me videon e transmetuar në media, ku një punonjës policie dhunon një të mitur, Avokati i Popullit deklaron se ngjarje të tilla joprofesionale nga ana e policisë së shtetit janë të patolerueshme. Avokati i Popullit përgëzon vendimin e Policisë së Shtetit, e cila mori masa të mernjëhershme duke pezulluar nga puna dy punonjësit e policisë, që ushtruan dhunë ndaj dy të miturve. Por pavarësisht nga sa më sipër, nga hetimi i plotë që bëri grupi i ekspertëve të Avokatit të Popullit rezulton se përvecc pamjeve të dhunës që ka parë publiku në video, janë zbuluar dhe shkelje të tjera të bëra nga punonjësit e policisë. Dy punonjësit e policisë kanë dhunuar në ambjentet e komisariatit 2, jo vetëm 15 vjeçarin E.K, i cili shihet në video, por edhe shokun e tij F.V, 14 vjeç. Përvecc dhunës së ushtruar ndaj dy të miturve, punonjësit e policisë kanë fshehur faktin që kanë shoqëruar për rreth 20 minuta në komisariatin 2, dy të miturit. Këto veprime të punonjësve të policisë përbëjnë veprën penale të kryerjes së veprimeve arbitrare, të parashikuara nga neni 250 i Kodit Penal. Për këto arsye Avokati i Popullit njofton se u ka rekomanduar organeve të Prokurorisë së Përgjithshme fillimin e hetimeve ndaj dy punonjësve të policisë të komisariatit nr. 2". - Re.Pu.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.