A i interesojnë raportet e KLSH-së, kryeministrit?

Postuar në 15 Nëntor, 2012 13:15

Disa ditë pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport për Qytetin Studenti, deklaroi se ka konstatuar afërsisht 3 milionë dollarë abuzime,  kjo qytezë u vizitua nga kryeministri i vendit. Në sajtin e Këshillit të Ministrave lexohet: 

Kryeministri Berisha tha sot, në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të godinës së pritjes nr.1 në Qytetin Studenti, se përmirësimi i kushteve të jetesës dhe lehtësimi i barrës ekonomike të studentëve të vendosur në Qytetin Studenti është ndër përparësitë e qeverisë. “Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, studenteve dhe studentëve të godinës nr. 1 të Qytetit Studenti, por të përshëndes përzemërsisht të gjithë banorët e mrekullueshëm të këtij qyteti dhe t’i uroj shumë suksese në studimet e tyre dhe realizimin e ëndrrave të tyre fisnike. Përgëzoj gjithashtu Drejtorinë e Qytetit Studenti për rikonstruksionin e plotë që i ka bërë kësaj ndërtese... Në rast se në vitin 2005, në universitetet tona mësonin gjithsej 52 mijë studentë, sot mësojnë 162 mijë studentë. Në këtë mënyrë, ne po ecim me shpejtësi drejt vendosjes së Shqipërisë, të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare mbi bazat e dijes.  Tani jemi në një moment të dytë shumë të rëndësishëm, ai i marrjes së statusit. Nga Shqipëria kërkohet të votohen tre ligjet. Uroj dhe shpresoj që opozita t’i votojë këto tre ligje dhe të mos pranojë kurrë për të dëmtuar dhe cenuar ëndrrën e bukur të rinisë shqiptare, ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, ëndrrën europiane...”.

Vetëm 4 ose 5 ditë para kësaj vizite dhe këtij fjalimi falënderues për drejtorinë  mediat njoftuan se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur parregullsi në subjektin Trajtimi i Studentëve Nr. 1, Sh.a. Tiranë dhe për këtë arsye ka bërë një kallëzim penal për Kryetaren e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë dhe dy anëtarë të tij.

“Shkak është bërë niveli i ulët i arkëtimeve dhe shkelje të tjera që janë bërë në dhënien e objekteve me qira, të cilat kanë shkaktuar një dëm të përllogaritur në shumën prej 3 milionë dollarësh” – u raportua në të përditshmet e Tiranës. Sipas raportit të KLSH-së, konstatohet se niveli i ulët i arkëtimeve vjen si pasojë e administrimit të konvikteve, ku rezulton që ndër vite janë shfrytëzuar për strehimin e studentëve dhjetëra dhoma më pak, si dhe dhënia me qira nuk është bërë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Në bazë të shkeljeve, KLSH ka rekomanduar 35 masave organizative për Këshillin Mbikëqyrës dhe për Drejtorinë (drejtori i QS quhet Kujtim Brovina).

Pyetje: Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit a janë të... shtetit? Po kryeministri i kujt është? (a.th)

 

Në foto: Kryeministri Berisha dhe drejtori Brovina gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të godinës së pritjes nr.1 në Qytetin Studenti (LSA)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.