Horror në Durrës, dhunohen për vdekje 2 kunatat e moshuara

Horror në Durrës. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në këtë qytet, ku dy gra të moshuara janë dhunuar për vdekje. Mësohet se viktimat janë Gjinovefa dhe Elsa Vava, 70 dhe 75 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën. Trupat u zbuluan sot rreth orës 7:00 të mëngjesit të sotëm nga djali i Elsa Vavas, njërës prej viktimave. Sipas dëshmisë të djalit, ai në mëngjes kishte shkuar drejt banesës ku dhe kishte parë derën e hapur dhe dy gratë e pajeta. Gjithçka duket si pjesë e një skenari filmi horror, pasi viktimat dyshohet të jenë mbytur me qese plasmasi, ndërsa burime policore kanë pohuar se të moshuarat i kishin të lidhura duart me qese dhe se janë mbytur nga asfiksia.
Gazetarja Klodiana Haxhiaj bën me dije se ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të një banese private ku rrinin dy kunatat, e cila ishte në pronësi të tyre, në lagjen nr.11, pranë Postës të qytetit bregdetar. Trupat e dy të ndjerave janë nisur drejt morgut të qytetit për të vijuar me ekspertizën mjeko-ligjore. Njëra prej viktimave, Elsa Vava ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë. Sipas dëshmive të të afërmeve, viktimat kujdeseshin për një grua invalide, e cila jetonte në katin e parë të banesës.
Por në mbrëmjen e djeshme, kur ndodhi krimi e motra e Gjinovefës, edhe pse ka qenë në dhomën ngjitur, ndonëse ka dëgjuar zhurmë nuk ka mundur të bëjë asgjë.
Hetimet në dy pista
Hetimet e policisë janë përqendruar në dy pista të mundshme, atë të një konflikti për pronën dhe pistën e grabitjes. Sipas raportimeve, mësohet se janë shoqëruar në polici cilësinë e dëshmitarëve, disa fqinj dhe të afërm të të moshuarave, për tu pyetur rreth ndonjë konflikti të mundshëm.
Në vendngjarje ndodhet prokurori Besim Hajdarmataj, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. Hidhen dyshime se mund të kenë qenë më shumë se 2 autorë që kanë marrë pjesë në këtë krim makabër.
Nuk dihet ende cilet mund të jenë autorët, por motivi i krimit të tmerrshëm vishet me mister për shkak se nuk ka shenja që banesa të jetë grabitur. Kjo i çon hetuesit në dyshimin se ka pasur konflikte të tjera, përfshirë edhe ato pronësie.
Shoqërohen në polici 20 të dyshuar
20 persona të dyshuar janë shoqëruar sot në policinë e Durrësit në lidhje me krimin e dyfishtë. Sipas informacioneve që përcjell policia, mësohet se këta persona janë me precedentë penal, kryesisht për grabitje. Ndërkohë po verifikohen shenjat e gishtërinjve, të cilat janë marrë dhe në vendin e ngjarjes, të cilat po krahasohen me ato të të dyshuarve. Mësohet se mes të shoqëruarve ka dhe disa të afërm të viktimave.
Ja njoftimi i plotë i policisë
Më date 02.09.2014, ora 06.35, ne lagjen Nr.11 Durrës, në banesën e tyre private janë gjetur të vdekura shtetaset E.V., 72 vjeçe dhe Gj.V., 77 vjece, banuese në lagjen Nr.11, te cilat janë mbytur dhe lidhur në duar. Ne vendngjarje Grupi Hetimor po vijon veprimet e para. Veprimet hetimore po drejtohen nga Prokurori i Rrethit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit janë dërguar specialistë të hetimit të krimeve të rënda dhe veprimet po ndiqen nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut në funksion të zbardhjes së ngjarjes dhe motiveve e rrethanave të saj.
Deri tani, nga ana jonë janë shoqëruar në Polici 20 shtetas të cilët dyshohet të kenë dijeni mbi rrethanat e hetimit si komshinj, të afërm apo edhe persona me precedent në fushën e vjedhjeve me dhunë dhe përdorimit të narkotikëve. (BalkanWeb)
Add new comment