Historinë, si gjithmonë, na e “shkruajnë” më mirë të huajt

Postuar në 24 Nëntor, 2012 03:33

Është hapur mbrëmë edicioni i 10 i TIFF (Tirana International Film Festival), me një film dokumentar për anijen ‘Vlora’, që më 1991 20 mijë shqiptarë që e pushtuan në portin e Durrësit, dhe detyruan komandantin ta niste drejt Italisë. Rrëfimi, sjell për herë të parë në mënyrë tronditëse dhe të përmbledhur dramën e madhe të atyre 20 mijë njerëzve që u nisën në kushte të paimagjinueshme të kalonin detin me një anije që ende nuk kish shkarkuar sheqerin e sjellë nga Kuba. La nave Dolce – Ae Ëmbël e quan regjisori filmin, jo thjesht për ngarkesën që mbante, sheqer dhe refugjatë, por dhe për ëndrrën që transportonte, parajsën e perëndimit.

Regjisori Daniele Vicari ka arritur të japë me zgjuarësi, një realitet që nu ka nevojë për fiction, por vetëm për imazhet tronditëse (disturbing images, siç thotë ‘Variety’) dhe rrëfimet e 6 pjesëmarrësve në atë aventurë që e ri-tregojnë dramën.

Filmi të godet në kujtesë që në fillim. Ai hapet me pamjet e demostratave të Tiranës, dhe njerëzit që bërtisnin “e duam Shqipërinë demokratike”. Protestues që godasin policët me gurë dhe mbajnë pankarta “poshtë faraonët”. Kështu paskemi qenë atëherë... nuk i donim Faraonët!

20 mijë njerëz zbarkuan në Bari më 1991 duke bërtitur të lumtur “Italia, Italia” dhe përfunduan duke u goditur me gurë me policinë italiane që i futi në një stadium në kushte çnjerëzore kur buka dhe kapelet hidheshin me helikopter, kur të “fortët” i merrnin ushqimet për vete e rriheshin me bashkatdhetarët, derisa u ri-atdhesuan nga qeveria italiane që i gjurmonte si një gjueti shtrigash rrugëve të Barit ata që mundën të arratiseshin nga stadiumi.

Saga e tyre, është treguar drejtpërdrejt, përmes pamjeve që ne nuk i kemi parë kurrë e që të shokojnë.

Dhe, këtë dramë tonën historike vjen e na e tregon sërish një regjisor i huaj.

K.Cukali

 

*prodhim i Indigo Film, Apulia Film Commission, Ska-ndal Prod., Rai Cinema production, në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit, Telenorba, Digitalb. Producent Nicola Giuliano, Francesca Cima, Carlotta Calori, Silvio Maselli, Ilir Butka. Regjia Daniele Vicari. Skenari Antonella Gaeta, Benni Atria, Vicari, bazuar në një ide nga Gigi De Luca, Silvio Maselli, Ilir Butka.

Rrëfejnë: Eva Karafili, Agron Sula, Halim Milaqi, Kledi Kadiu, Robert Budina, Eduart Cota, Ervia Alia, Ali Margjeka, Giuseppe Belviso, Nicola Montano, Domenico Stea, Fortunata Dell'Orzo, Luca Turi, Raffaele Nigro, Maria Brescia, Luigi Roca, Vita Leccese. (dialogjet Italisht, shqip)

**filmi ka fituar çmimin Pasinetti për Dokumentarin më të mirë në bienalen e Venecias

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.