Historiku i konflikteve fizike mes deputetevë shqiptarë

Postuar në 23 Maj, 2014 10:33

Ngjarja e një ditë më parë në Kuvend, ku deputetë të mazhorancës akuzohen se kanë goditur një deputet të opozitës, është shoqëruar nga gazeta “Shqiptarja.com” me një historik të konflikteve fizike që kanë ndodhur mes deputetëve përgjatë 23 viteve. Konflikti më i rëndë i shënuar është ai me Azem Hajdarin, ku një deputet tjetër e qëlloi me armë në godinën e sallës së seancave plenare.

Rrahja e dytë për Prengën, goditi më parë edhe Palokën

Parlamenti shqiptar njeh të paktën 8 konflikte fizike mes deputetëve. Ndërkohë që sharjet me libër shtëpije, akuzat dhe kërcënimet janë bërë tejet normale. Në Kuvend nuk kanë munguar as ngritjet e karrigeve, as thyerja e vazove të luleve dhe as grushtat. Ndërsa Armando Prenga është përplasur për herë të dytë me demokratët, vetë Strazimiri gjithashtu e ka gjithashtu herën e dytë të konfliktit.

10 shkurt 2011 Armando Prenga VS Edi Paloka

Gjatë seancës së zhvilluar mbi 21 janarin, ku u vranë 4 protestues, deputetit të PD-së, Edi Paloka, i ka ndërhyrë socialisti Paulin Sterkaj. Pavarësisht se Sterkaj i ka hequr mikrofonin Palokës nuk ka pasur përplasje fizike. Por, duket se në tensionimin e situatës dhe ngritjeve të toneve në seancë ka ndërhyrë Armando Prenga, i cili ka goditur me grusht Palokën. Situata ka qenë e papritur për gardën e cila ka ndërhyrë për të ndarë dy deputetët, të cilëve u erdhën në ndihmë dhe kolegët e tyre.

27 korrik 2010 Lefter Maliqi vs Erjon Braçe

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Viti 2010 ka qenë i përfshirë nga sharje e akuza mes deputetëve. Kulmi arriti në ditën e fundit të mbylljes së sesionit parlamentar. Deputeti demokrat Lefter Maliqi ka goditur rivalin e tij politik Erjon Braçe. Shpesh të dy deputetët dhe më parë kishin shkëmbyer replika. Pas kësaj, socialisti Gjovalin Kadeli ka ndërhyrë për të mbrojtur Braçen, ndërsa ka goditur deputetin e PD. Gjithashtu mes parlamentarëve ka pasur dhe shtyrje trup më trup.

19 Mars 2009 Sherri Bizhga vs Strazimiri

Debati për hetimin e zgjedhjeve të qershorit është kthyer në arenë sharjesh, por dhe përplasjesh në seancë. Deputeti socialist Gazmir Bizhga ka kërkuar fjalën në momentin kur Igli Cara ishte duke folur. Por për këtë ka ndërhyrë Gent Strazimiri. Përplasja fizike është shmangur nga ndërhyrja e gardës së Republikës e cila është bërë gardh mes parlamentarëve.

Shtator 2008 Hysa e Harasanaj vs Topallit

Skandali i Gërdecit dhe ai i importit të misrit shterp ka qenë nisma për përplasjen mes deputetëve të PS dhe të PD. Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kishte urdhëruar Gardën e Republikës të mos lejonin deputetët të fusnin në seancë objekte “të dyshimta” Hysa dhe Harasani, të cilët kanë dorëzuar në tryezën e kryeministrit kallinjtë.

29 shtator 2007, Tom Doshi vs Leonard Solis

Një nga konfliktet surprizë në Kuvend ka qenë ai mes Tom Doshit dhe Leonard Solis. Ky i fundit nuk është i njohur për retorika të ashpra. Por se në vitin 2007 në ambientet e kafesë së Kuvendit është shënuar përplasja mes dy deputetëve. Mësohet se Doshi ka goditur në atë kohë Solisin.

Paloka i pari që hapi siparine ndeshjeve, grushte Imamit

Dy sherret që do të mbahen mend gjatë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë janë përplasja mes deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, si dhe sherri me grushte mes deputetit të PD Edi Palokës dhe kreut të PAD-së Arben Imamit.

28 korrik 2007 Ilir Meta, Ndre Legisi vs Jozefina Topalli

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor në dëm të LSI në atë kohë shkaktoi sherr në Kuvend, si dhe një grevë urie. Kalimi për votim i Kodit Zgjedhor i cili i hiqte anëtarin e LSI nga komisionet zgjedhore detyroi gardën e republikës të rrethojë kryetaren e Kuvendit, pavarësisht se ndryshimi i ligjit u bë me paktin PS-PD. Por se deputetët e kësaj partie kanë arritur dhe të hipin mbi podium për të kaluar drejt saj. Ndre Legisi arriti të kalojë madje dhe rradhën e parë por pa arritur të prekë Topallin.

Gjithashtu, dhe vetë Meta ka ngritur tonet duke tentuar të shkojë drejt Topallit por pa arritur ta kapë. Ndërsa Topalli është larguar nga seanca duke e pezulluar atë. Gjithsesi dhe pas grevës së urisë, nuk u arrit bllokimi i Kodit Zgjedhor. 

12 mars 2002 Edi Paloka vs Arben Imami

Grushtat në daljen e sallës së seancës plenare mund të quhen si hapja e kalvarit të ndeshjeve në Kuvend. Sigurisht plagosja e deputetit Azem Hajdari është rasti më i rëndë në parlament. Deputeti Edi Paloka pas një shkëmbimi batutash ka goditur Arben Imamin. Në atë kohë ky i fundit ka qenë deputet i PAD-së aleat i socialistëve. Të dy parlamentarët nuk e kanë komentuar arsyen e sherrit, ndërsa Imami ka marrë mjekimin për dëmtimin në hundë.

Historiku, Azem Hajdari u plagos në Kuvend nga Mazreku

Me 17 shtator 1997 deputeti demokrat Azem Hajdari u plagos ne parlament nga deputeti socialist i rrethit te Hasit, Gafurr Mazreku. Gjithë debati lindi për shkak të një përplasje mes deputetit Azem Hajdari dhe deputeti socialist të saj kohe, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu për podiumin. Pikërisht ndërprerja që iu bë fjalës së Abdiut nga Hajdari solli dhe ndërhyrjen e ish-deputetit socialist Mazreku. Pas kësaj filloi një konfrontim fizik mes Hajdarit dhe Mazrekut. Ky i fundit pasi e ndjeu veten të prekur në sedër si malësor, pasi u tërhoq nga podium në ambientet e Kuvendit e qëlloi disa herë duke e plagosur, veprim për të cilin kreu dhe dënimin.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print), 28 Maj 2014

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.