Histori njerëzore/ Flora Haka, bashkëshortja e dëshmorit Enver Haka flet për tragjedinë e 22 nëntorit 1989 në Llogora

Postuar në 21 Nëntor, 2014 15:12

nga Leonard Veizi

 

Ajo quhet si “Tragjedia e Llogorasë”, por në fakt autobusi me 14 studentë e 3 pedagogë të Institutit Bujqësor është rrëzuar në të dalë të Himarës. Pikërisht aty ku duhet marrë një e përpjetë e fortë, shoferi ka nxjerrë në afolio autobusin tij “Shkodra”. Pas kësaj nuk ka mundur të fusë dot marrshin. Ingranazhet e kamios janë gërvishtur me zhurmë por nuk kanë zënë vend mes tyre. Automjeti ka marrë tatëpjetën, krejt i pakontrolluar tanimë dhe ka rrëshqitur drejt humnerës në një lartësi prej gati 70 metrash. Drejtuesi i autobusit Ali Omuri dhe studenti Albert Smoka humbën jetën në vend, ndërsa shumë të tjerë kishin marrë plagë të rënda, mes tyre dhe pedagogu Milto Shumeli. Për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana u dërguan me shpejtësi dy helikopterë: MI-4 66 i drejtuar nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik Pandeli Xhumba, dhe MI-4 50 i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik Enver Haka. Në bordet e tyre ishin edhe ekipet e mjekëve të spitalit nr. 2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja Dhurata Leka. Në kthim, në një nga helikopterët hipën mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të spitalit të Himarës. Dukej sikur gjithçka po shkonte mbarë, të dëmtuarve po u jepej ndihma mjekësore. Por asgjë nuk ka mbaruar këtu. Për fatin e keq të asaj mbrëmje gjithë shi dhe erë, tragjedia u thellua edhe më tej. Për shkak të motit, mjegull e shkreptima si asnjëherë tjetër, dy helikopterët u përplasën me shpatet e maleve, ndërsa pilotët, mjekët, pedagogët dhe studentet, humbën jetën para se të mbërrinin në destinacion.  

 

...Helikopteri MI-4 me shifrën e koduar “6-63” ishte ngritur me urgjencë në ajër pas alarmit se diku pas Qafës së Llogarasë, një autobus me studentë kishte përfunduar në humnerë. Dy pilotët dhe tekniku, së bashku me një ekip mjekësh e ndihmësmjekësh, të gatshëm për të kryer një mision humanitar në shpëtim të jetëve të tyre, u nisën rrëmbimthi nga pista e regjimentit të Farkës edhe pse parametrat e kohës nuk tregonin asgjë optimale. Ndërsa bazamenti prej betoni zvogëlohej rrufeshëm, secili prej tyre mendonte se vetëm disa orë më vonë, kur gjithçka do të mbaronte, helikopteri me flatrat e mëdha do të ulej përsëri aty, dhe ata do të mund të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre me gjysmën e shpirtit të lehtësuar, se në fund të fundit kishin shpëtuar disa jetë njerëzore. Koha ishte e keqe, binte shi dhe vetëtimat shkarkonin masa elektrike në ajër. Sinan Çela, Komandanti i Regjimentit udhëhiqte operacionin nga kulla e komandimit deri në çastin kur lidhja u shkëput. Pas kësaj heshtja ishte e plotë. Duhet të ketë qenë ora 17:55 minuta kur helikopteri i parë ra në shpatin e Karaburunit. Vetëm gjashtë apo shtatë minuta më pas diku në Vunoi helikopteri i dytë do të rrëzohej gjithashtu tragjikisht. Në regjimentin 4040 dhe në gjithë zonën e Farkës lajmi do të përhapej me shpejtësi. Por ai do të duronte për 12 orë me radhë derisa të bëhej i njohur dhe për bashkëshorten e një prej teknikëve të bordit, familja e të cilit jetonte diku të vendi i quajtur “Xhamlliku” në Tiranë. Njëzetepesë vjet më pas, Flora Haka, bashkëshortja e Enver Hakës, risjell nëpërmjet rrëfimit të saj edhe një herë atë situatë tragjike në të cilën u përfshi jo vetëm familja e saj:

Si e kujtoni përballjen e parë me ato mjete fluturues, që më pas do të emërtoheshin thjeshtë “Helikopterët e Farkës”?

Në vitin 1967 në Farkë në fushën që dikur shërbente për shkollën “8 vjeçare”, u ulën tre helikopterët e parë. Ishim fëmijë dhe me kureshtjen tonë u afruam të shihnim. Ushtarakët që ishin rrotull na bënë me shenjë të largoheshim. U larguam pak, por sytë na mbetën aty. Më pas erdhën dhe banorë të tjerë, të cilët ngrinin supet. Kjo ishte përballja e parë dhe nuk e mora me mend se e gjithë historia e jetës sime do të lidhej me këta helikopterë. Atëherë unë isha në klasë të pestë. Sa herë që kishte fluturim ne shihnim që e gjithë fusha ndriçohej dhe gjumi na zinte me zhurmën e helikopterëve.

Si do të ishte jeta juaj e përbashkët me ushtarakët e një regjimenti ajror?

Vitet kaluan. Vazhdoja shkollën e mesme “Pedagogjike” në Tiranë. Për të shkuar në shkollë, rrugën e bënim në këmbë. Herë- herë ndalonim makinat e regjimentit dhe na merrnin. Ndërsa pas mbarimit të shkollës punova si mësuese po në Farkë. Me repartin që kishim aty pranë krijuam lidhje të forta sepse organizonim shpesh veprimtarive kulturore artistike. Disa prej aviatorëve si; Raqi, Shuaipi, Ligori e do të veçoja Agronin, vinin shpesh në shtëpinë tonë, pasi u pëlqente të gjuante me vëllanë dhe babanë tim. Jo vetëm për familjen time, por për të gjithë fshatin aviatorët ishin bërë si bijtë e tyre.

Ju do ta lidhnit jetën me një prej oficerëve të këtij reparti. Si ndodhi?

Vëllai im kreu ushtrinë në repartin e helikopterëve. Më pas ai punoi aty si mekanik, kështu që u njoh me Enver Hakën, bashkëshortin tim. Ata ishin shokë. Një ditë papritur unë i takoj bashkë. Enveri ishte nga Petrela. Edhe ai, si unë, ishte rritur me zhurmën e helikopterëve. Por ëndrra e tij ishte më e madhe, pasi u lidh përjetësisht me atë zhurmë që e kishte dëgjuar prej fëmijërisë.

Si do të rridhte jeta juaj e mëpasme?

U martuam në vitin 1981. Në fillim banuam në Farkë, në shtëpinë e vjetër të prindërve të mi, pasi të renë e bëmë në Lundër. Në vitin 1982 lindi Ervini. Deri në vitin 1985 jetuam në Farkë. Nuk do ta harroj kurrë çastin e gëzuar të tij kur ai erdhi me autorizimin e shtëpisë së re që do të merrnim në Tiranë. Kishim kohë që po e prisnim këtë çast. Në vitin 1988 lindi Ardiani, djali i dytë. I kalova këto vite me vështirësi, pasi shëndeti i tyre në çerdhe nuk shkonte mirë. Më duhet të bëja dhe rrugë të largët, pasi vazhdoja të punoja në Farkë dhe në Sauk, t’i përballoja vetëm shqetësimet e familjes, pasi bashkëshorti ishte në të shumtën e rasteve me shërbim.

Si e kujtoni ditën e 22 nëntorit të vitit 1989?

Ishte një ditë e ankthshme e me një parandjenjë jo të mirë. Nata e 22 nëntorit do mbetet e paharruar për mua, pasi unë nuk e kisha marrë vesh se helikopteri ku Enveri shërbente ishte rrëzuar dhe ai kishte humbur jetën. Koha ishte e vrenjtur e me shi, e vetëtima, sikur zemra më ndjeu diçka. Një fqinja ime erdhi të rrinte pak me mua dhe unë nuk e di se pse e mbaja duke i thënë: “Qëndro dhe pak, qëndro dhe pak...”. Ishte një makth.

Gjatë natës ishit e vetme në shtëpi...?

Bashkë me dy fëmijët, njërin shtatë dhe tjetri pak më shumë se një vjeç. Në fakt një javë më parë Enveri kishte qenë me shërbim... Dhe sa herë që kishte shërbim ai nuk më linte vetëm, por njoftonte motrën time, pasi kishte merakun të mos qëndroja vetëm e të mos mërzitesha. Herën e fundit nuk e njoftoi. Kështu që kur erdhi nga shërbimi unë i thashë: “Pse më le vetëm këtë radhë”. Ndërsa ai m’u përgjigj: “Ke dy djemtë tani dhe nuk je vetëm”. Dhe kjo fjalë më ka mbetur thellë në mendje, sikur të ishin fjalët e amanetit të tij.

Si do ta merrnit vesh lajmin...?

Në mëngjes herët, në orën 06:00 trokiti dera. U çova e përgjumur pasi djali i vogël më qante shumë natën dhe në mëngjes gjumi më kishte mundur. Teksa vrapova të hap derën dëgjova zërin e fqinjës time të thoshte: “Hape derën”. E hapa dhe ajo më tha: “Vishu shpejt, sepse do të ikim në spital. Enveri është shumë sëmurë”. U trondita thellë aq sa dhe rrobat i vesha mbrapsht. Por s’pata shumë kohë. Në apartamentin tonë hynë dhe disa ushtarakë nga të regjimentit dhe u ulën nëpër karrige. U ula dhe unë dhe po i vështroja, duke u lutur që të çoheshim shpejt e të iknim në spital. Por një nga shokët e tij tha: “Enveri ka qenë trim”. U çudita, sepse folja ishte e pavend. Jo “ka qenë”, por “është”, ndërhyra unë gjithë ankth unë. Në atë çast fqinja më tërhoqi në dhomën tjetër ku flinin dy fëmijët dhe më tha; “Bëhu e fortë. Enveri të la”.

Mund t’i risillni emocionet tuaja të atij çasti...?

Është njësoj sikur të më ketë ndodhur tani. Ato ishin fjalë shumë e rëndë, për secilin që e ka provuar. Britma ime zgjoi Ardianin e vogël, i cili filloi të qante me ngashërema, ndërsa Ervini 7- vjeçar erdhi më pushtoi e nuk më lëshonte. Ishte një skenë mjaft e dhimbshme. Shtrëngoja në krahë dy fëmijët e mi, ndërsa më dukej sikur bota të ishte përmbysur para meje. Pak më vonë mblodha forcat e mia, si për të bërë premtimin para bashkëshortit tim që nuk jetonte më, e t’u dilja përpara shokëve që rrinin e prisnin në ankth, në dhomën e ndenjes. Në apartamentin tonë që nga ai çast veç hynin e dilnin njerëz.

Si do të zhvillohej ceremonia e varrimit për këta dëshmorë të ajrit?

Di të them se vetëm se, arkivoli me trupin e bashkëshortit vetëm një gjysmë ore qëndroi në shtëpinë tonë. Dhe për aq kohë sa ndenji, nuk më lanë ta shihja e t’i jepja lamtumirën e fundit. Arkivolet nuk mund të hapeshin. Trupat ishin krejt të karbonizuar. Ndërkohë shteti ishte vënë në lëvizje. U bënë të gjitha ceremonitë që u takonin si ushtarakë të rënë në krye të detyrës. Ata u përcollën njëkohësisht nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë.

Si do të rridhte jeta juaj pas kësaj ngjarje tragjike?

Pas humbjes së bashkëshortit nisa një jetë në një rrjedhë tjetër. Me shumë mundime i kam rritur fëmijët, sepse koha kur ata ranë ishte në prag të tranzicionit. Vështirësitë ekonomike nuk ishin vetëm për familjen time, por për të gjithë shqiptarët e atyre viteve. Por ishte fat për mua që të filloja të punoja si mësuese në kolegjin turk “Turgut Ozal”, ku edhe sot jap mësim, pasi gjatë këtyre viteve unë gjeta ngrohtësi dhe mbështetje për të larguar brengat dhe hallet e mia, pasi aty m’u dha mundësi të vizitoj edhe fëmijët e mi, që studionin në Turqi. Megjithatë ata nuk janë harruar. Vepra e tyre u vlerësua nga të gjitha pushtetet e kohës. Janë organizuar ditë përkujtimore të rënies së tyre dhe unë kam marrë pjesë në çdo në çdo veprimtari që është organizuar për ta, madje, dhe në shtëpi kam pritur me shumë mirënjohje vizitat që më janë bërë. Do të veçoja vizitën e presidentit Alfred Moisiu, të ish-komandanti i Forcave Ajrore, gjeneralmajor Perlat Sula, të gjeneralbrigade Astrit Jaupi, si dhe funksionarë të tjerë të shtetit e shokë të regjimentit. Nuk mund të lë pa përmendur dhe gjej rastin t’i përshëndes jo vetëm në emrin tim personal, por edhe në emrin e të gjithë bashkëshorteve të tjera, të aviatorëve të rënë në Qafën e Llogarasë, për gjithçka që kanë bërë për ne. Ministria e Mbrojtjes për mua ka qenë shtëpia ime, pasi aty më janë hapur dyert për shkollimin e fëmijëve të mi. Dua të falënderoj thellë nga zemra dhe t’i shpreh mirënjohjen ish-ministrave të Mbrojtjes të ndjerin Safet Zhulalin, Sabit Brokaj, Perikli Teta, Pandeli Majko dhe Gazment Oketa, të cilët më kanë ndihmuar në këtë drejtim.

 

 

Viktimat e një aksidenti tragjik

 

Viktimat e autobusit

1-Ali Omuri, shoferi i autobusit

2-Albert Smoka, student

 

Viktimat e helikopterit të parë

1-Vangjel Postoli, komandant

2-Tafil Agaj, pilot

3-Pandeli Xhumba, mekanik

4-Misto Shumeli, i plagosur

5-Elida Hyseni, e plagosur

6-Donika Ferra, e plagosur

7-Zef Sula, i plagosur

8-Kujtim Hysi, mjek

9-Zana Floqi, mjeke

10-Dhurata Leka, ndihmësmjeke

11-Nafail Metollari, mjek në Himarë

12-Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.

 

Viktimat e helikopterit të dytë

1-Agron Galanxhi, komandant

2-Veledin Resuli, pilot

3-Enver Haka, mekanik

4-Thoma Plasa, i plagosur

5-Ilirjana Brahimi, e plagosur

6-Taip Llaçi, i plagosur

7-Xhelal Ndreu, i plagosur

8-Agim Qarri, mjek

9-Dionis Makoçi, mjek

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.