Hijet e skandalit në EULEX, komisionerja Mogherini kërkon transparencë të plotë

Dyshimet për korrupsion në radhët e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë kanë marrë vëmendjen e shefes së re të politikës së jashtme dhe sigurisë së BE, Federika Mogherini. Ajo ka kërkuar sot që dyshimet për korrupsion të trajtohen me transparencë maksimale. Qëndrimet e Mogherinit u transmetuan nga zëdhënësja Maja Kocijançiq, dhe pasuan zërat edhe nga zyrtarë të lartë të parlamentit evropian për hetimin e plotë të dyshimeve të hedhura mbi zyrtarë të EULEX-it.
Zyrtarët e këtij misioni thanë javën e kaluar se janë duke hetuar dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes “Koha Ditore” se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale, përfshirë një rast të vrasjes së trefishtë. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative.
a.k
Add new comment