Hasan Prishtina nderohet me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”: “Përjetësisht, një nga simbolet më të ndritura të historisë politike të kombit shqiptar”

Postuar në 03 Maj, 2014 14:43

Presidenti, Bujar Nishani ka nderuar atdhetarin e shquar, Hasan Prishtina me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Kreu i Shtetit shqiptar i dorëzoi Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu dekoratën e lartë me motivacionin: “Përjetësisht, një nga simbolet më të ndritura të historisë politike të kombit shqiptar: rilindas, patriot, politikan elitar me cilësi të larta organizuese dhe frymëzuese. Ky bir i shquar i Kosovës, së bashku me Ismail Qemalin u bënë dy kontribuuesit më të shquar të të gjitha trojeve etnike të popullit shqiptar, të cilët me veprimtarinë e tyre politike dhe diplomatike bënë të mundur Shpalljen e Pavarësisë sonë Kombëtare më 28 Nëntor 1912”.

Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Nishani e cilësoi Prishtinwn si “një prej bijve më të lavdishëm të kombit shqiptar”.

“Një nderim ndoshta i vonuar, për një nga kalorësit më të mëdhenj të historisë politike dhe kombëtare të Shqipërisë të së paku dy shekujve të fundit të saj”, u shpreh Presidenti.

“Duke medituar mbi vendin që ai zë në historinë e Shqipërisë, natyrshëm të vijnë në mendje dy vargje që i janë kushtuar nderimit të një shkrimtari të madh francez me famë botërore (Molierit):

Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë

E jona ka nevojë për të

Po megjithatë, kjo nuk mjafton për njeriun që na ka mbledhur këtu. Hasan Prishtina për arsye ideologjike shtetërore u tentua të lihej në harresë, u denigrua duke u lënë në heshtje dhe aq më keq, ndonjëherë dhe u luftua. Ndaj dhe vlerësimi  i sotëm bën pjesë në atë nderim të vonuar që Shqipëria  po vazhdon t’i bëjë birit të vet

Pak kush e di se në Shqipëri Hasan Prishtina ka qenë edhe ministër në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, por gjithashtu ka bërë pjesë edhe në atë të Princ Vidit. Shumë pak veta janë në dijeni edhe sot, se ai ka qenë për pak ditë Kryeministër i shtetit të cunguar shqiptar, e se ka qenë edhe deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Në piedestalin ku po e vëmë sot, po e risjellim në panteonin prej nga e përzunë.

Personaliteti kombëtar për të cilën jemi mbledhur sot pati një jetë tragjike. Dita për të cilën ai sakrifikoi deri edhe pasurinë kolosale, e gjeti të burgosur politik në burgjet e Serbisë. Edhe jeta e tij e mëpasme është kalvar i  një legjende të botës shqiptare. Prej 28 nëntorit 1912 dhe deri sa e vranë më 14 gusht 1933, e gjithë karriera e tij është e përshkuar nga një simfoni heroizmi që iu përkushtua dy dashurive të pandara: Shqipërisë dhe Kosovës. Në rendin ndërkombëtar me aq shumë ndryshime të viteve 1912-1933 ai u turr përpara për të gjetur qoftë edhe një xixëllonjë të vetme shprese në fundin e tunelit të gjatë të mbushur me errësirë, që përhapnin vendimet e disa konferencave ndërkombëtare të cilat merreshin në dëm të kombit shqiptar”, u shpreh Nishani gjatë fjalës së tij.

S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.