Hapet “loja” e kandidaturave për Bashkinë e Tiranës. T.O shkruan: Ja avantazhet e Tahirit dhe Veliajt për garën e 2015

Edhe pse jemi një vit para zgjedhjeve për pushtetin vendor, gazeta “Tirana Observer” ka hapur “lojën e emrave” rreth kandidaturave të mundshme për të garuar për bashkinë më të rëndësishme në vend, atë të Tiranës. Në kryeartikullin e sotëm, kjo gazetë shkruan se Saimir Tahiri dhe Erion Veliaj janë dy emrat më të mundshëm për të përfaqësuar Partinë Socialiste në garën për Bashkinë e Tiranës pas një viti.
“Sipas burimeve politike, kryeministri Rama dhe drejtuesit e partisë më të madhe në vend do të përzgjedhin mes dy 35 vjeçarëve, në synimin për të rimarrë drejtimin e kryeqytetit. Socialistët u larguan nga bashkia më e madhe e Shqipërisë tre vjet më parë, në një garë të kundërshtuar dhe me shumë probleme, në fund të së cilës Lulzim Basha spostoi Edi Ramën nga karrigia e qytetarit numër një. Tashmë të fuqizuar edhe me aleancën me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila në vitin 2011 mbështeti Bashën, socialistët vlerësohet se kanë një avantazh të ndjeshëm votash ndaj Partisë Demokratike. Sipas burimeve politike, në mënyrë të kujdesshme, Edi Rama po ndërton identikitin e kryebashkiakut të ardhshëm për njërin nga beniaminët e tij ” shkruan gazeta.
Më tej, në artikull evidentohen edhe avantazhet kryesore të ministrit të Brendshëm dhe atij të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Sipas gazetës, ndër avantazhet e Tahirit “vlerësohet të jetë drejtimi gjatë viteve të fundit i strukturave partiake të Tiranës” çka e bën kreun aktual të rendit të projektuar në mënyrë direkte në kandidimin për të udhëhequr bashkinë. Në krahun tjetër Erion Veliaj, sipas gazetës, ka si avantazh faktin që po udhëheq punët për “mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe romët apo shtyrjen përpara të programeve të punësimit, veçanërisht për të rinjtë”.
Megjithatë, në fund të artikullit, gazeta shkruan se “Tahiri dhe Veliaj janë tashmë preferencat politike të Ramës, ndonëse burimet politike, nuk përjashtojnë edhe mundësinë që shefi i qeverisë të zgjedhë rrugë të tjera të gjetjes së kandidatit për kryebashkiak” ndërsa evidentohet fakti se “një rol të rëndësishëm në këtë pikë do të ketë edhe aleati kryesor, Lëvizja Socialiste për Integrim”.
Artikulli i plotë: http://www.tiranaobserver.al/tahiri-veliaj-beteja-ne-ps-per-bashkine-e-tiranes/
e.m
Comments
what if.... lsi... po sikur
<p>what if.... lsi... po sikur ta marre lsi-ja bashkine e tiranes, cfare do te ndodhte me kete vend?</p>
Add new comment