Grida Duma, koordinatore për Marrëdhëniet Publike në PD, akuza qeverisë Rama-Meta

Ish-zëvëndësministrja e Integrimit, Grida Duma ka dalë sot në një deklaratë publike nga podiumi i Partisë Demokratike për të denoncuar “revanshin e shkarkimeve masive në administratë” që sipas saj, po sjellin pasoja të rënda. Në deklaratën e parë të mbajtur në emër të PD-së, nga selia e PD-së, Grida Duma u shpreh se dyshja Rama –Meta nuk dëgjoi lutjet e Bruna Mejkos, e cila është vetëhelmuar pas largimit nga puna.
“Një grua, një bashkëshorte dhe nënë, e vetmja e punësuar në një familje korçare, i ka dhënë fund dje jetës, pasi spastrimet që po bën qeveria në administratë e hodhën atë në rrugë. Bruna Meko nuk e përballoi dot dhunën e dyshes Rama-Meta që pas një terrori psikologjik, dhe në dëshpërim e sipër nëna e dy djemve dhe bashkëshortja e një burri që lëngon prej vitesh në shtrat, u vetëhelmua. Puna që 51-vjeçarja bënte prej më shumë se 10 vitesh, ishte e vetmja e ardhur financiare për familjen Meko. Të afërmit dhe kolegët e saj tregojnë se ajo i kishte paralajmëruar zbatuesit e spastrimeve në administratë, se nuk do ta përballonte dot nëse do ta hiqnin nga puna. Por revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje. Partia Demokratike është thellësisht e indinjuar nga kjo ngjarje dhe gjendet sot pranë familjes Meko në këtë ditë të tmerrshme", u shpreh Duma, e cila është një nga zërat me aktivë të kohëve në fundit në media rreth zhvillimeve të brendshme në Partinë Demokratike dhe të zhvillimeve politike e sociale në terësi. Në daljen e sotme për mediat, Duma ka dalë në cilësinë e Koordinatores për Marrëdhëniet Publike në Partinë Demokratike.
k.k
Add new comment