Greqia mbron pasanikët që kanë bërë evazion fiskal, arreston gazetarin që zbuloi emrat e shkelësve

Postuar në 28 Tetor, 2012 12:16

 

Sistemet e dështuara e hedhin fajin tek ata që zbulojnë të vërtetën. Ky është rasti i gazetarit investigativ grek Costas Vaxevanis, i cili është arrestuar këtë të dielë, pasi revista e tij, “Hot Doc” publikoi të shtunën një listë me më shumë se dy mijë emra, mes të cilëve zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, që kanë llogari në bankat zvicerane. Emrat në fjalë janë të përfshirë në atë që quhet “Lista e Lagarde”, me grekë që akuzohen për evazion fiskal, njofton Vizion Plus.

Vaxevanis, është arrestuar me akuzën e dhunimit të privatësisë. Prangosja e gazetarit ka shkaktuar një valë reagimesh në gjithë Greqinë. Vetë Vaxevanis, postoi në twitter lajmin e ndalimit të tij, duke shkruar se policia dhe një prokuror kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe po e arrestonin. Ndërsa në një intervistë të publikuar në internet para prangosjes dhe në kohën kur ishte lëshuar urdhër arresti, ai shprehet se është shënjestruar në mënyrë të padrejtë. “Ata që bëjnë evazion fiskal dhe ministrat që kanë në dorë listën e emrave, po përpiqen të arrestojnë të vërtetën dhe lirinë e shtypit”, është shprehur gazetari investigativ. Megjithatë, autoritetet greke nuk konfirmojnë nëse lista e nxjerrë të shtunën nga revista “Hot Doc”, është ajo që ministrja e atëhershme e Financave në Francë, Kristin Legard, i dorëzoi homologut grek të kohës, Jorgos Papakonstantino në vitin 2010. Në listën e “Hot Doc” janë dy mijë e 59 emra, përfshirë tre politikanë, dy ish-ministra konservatorë dhe njëri prej të cilëve ka vdekur tashmë, si dhe një këshilltar aktual i kryeministrit Samaras.

E çuditshmja është që vendet e tjera perëndimore, Gjermania,  Anglia, Italia, Franca e Spanja i kanë marrë këto lista dhe kanë detyruar pasanikët që kanë kryer evazion të shlyejnë miliardat e grabitura arkës së shtetit. Greqia, që ka dhe më shumë nevojë, në të kundërt nuk ka pranuar ta bëjë këtë (!)

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.