Grabitja e biznesit të Mark Frrokut nga një bandë “ushtarakësh”. Gazetat japin shifra nga 10 në 100 mijë euro

Banda e “ushtarakëve”, që grabitën me armë biznesin e deputetit Mark Frroku dhe më pas dogjën makinën, sipas policisë (citim i shqiptarja.com) kanë marrë 1.6 milionë lekë. Policia e Tiranës ka dhënë gjatë ditës së sotme detaje në lidhje me grabitjen e ndodhur ditën e djeshme në orën 10:36 minuta. Sipas policisë, “në datën 14 prill 2014 rreth orës 10.36, në rrugën “Konferenca e Pezës”, në ambientet e kompleksit A.M.L. 4 persona të veshur me rroba ushtarake kanë vjedhur me dhunë pikën e basteve “Xhoi Co 21”, me menaxher shtetasin Alban. M”.
“Autorët kanë vjedhur shumën e 1.600.000 lekëve dhe më pas janë larguar me një automjet tip “Opel Astra”, me targa italiane BD 899 NM, automjet i cili është gjetur i djegur në vendin e quajtur “Qafa e Kasharit”, bëri të ditur Policia e Tiranës. Sipas policisë së kryeqytetit, punonjësit e policisë janë duke punuar intesinsivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkaq, shtypi i sotëm është “i larmishëm” sa i përket shifrës së grabitur. Kështu, përveç shumës së sipërmendur, figurojnë edhe vlerat 10 mijë euro (raportohet nga Shekulli dhe Panorama), ndërsa rekordin e kap gazeta Shqip, që flet për 100 mijë euro. Ndodh rëndom që shifra, fakte dhe emra në ngjarjet e kronikës të mos i gjesh dy herë njësoj në shtypin e shkruar, edhe pse në çdo rast thuhet se i referohet të dhënave të policisë.
a.k
Add new comment