Gjiknuri: Zell i qeverisë për therrje bagëtish, por jo për teknologji të re në zgjedhje

Postuar në 20 Nëntor, 2012 03:38

Procesi i futjes së teknologjisë së re në zgjedhje po rrezikohet seriozisht nga mosveprimet e ekzekutivit dhe administratës së kontrolluar politikisht të KQZ-së, i ka deklaruar Damian Gjiknuri gazetës MAPO.

Thotë Sekretari i PS-së për Çështjet Zgjedhore: “Legjislacioni në fuqi për prokurimin publik,  por edhe Kodi Zgjedhor,  i krijon mundësi autoriteteve të veprojnë me shpejtësi në përzgjedhjen e një zgjidhje teknike që plotëson kërkesat e Kodit Zgjedhor  dhe negocimin e ofertës më të mirë.  Deri më tani nuk ka ndodhur asgjë duke e sabotuar në mënyrë të heshtur këtë proces. Qeveria tregon më shumë zell të sigurojë bagëti për “kurban” me rastin e 100-vjetorit  të pavarësisë se sa për të siguruar shërbimet qe i  garantojnë  këtij vendi zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Sipas Giknurit, KQZ është ngritur në një kohë shumë të përshtatshme për të përgatitur zgjedhjet siç duhet, gati 10 muaj nga dita e zgjedhjeve, si dhe ka patur mbështetjen e plotë të  faktorit politik kombëtar dhe ndërkombëtar për të kryer një punë profesionale jashtë ndikimit politik.

A po e kryen këtë? Me keqardhje, Gjiknuri konstaton se procesi i përgatitjes për teknologjinë  në zgjedhje po shoqërohet me një terr informativ, ku ekzekutivi po luan rolin e “strucit”.

Deri më sot, në fakt, KQZ-ja  nuk ka miratuar një plan veprimi për hapat që duhet të hedhë në këtë drejtim dhe nuk ka filluar asnjë procedurë për sigurimin e këtij shërbimi. KQZ ka detyrimin ligjor të informojë Kuvendin në këtë drejtim, ashtu si dhe qeveria ka detyrimin të sigurojë ekspertizë dhe mbështetje financiare për këtë proces.

Sipas Gjiknurit, mjegullnaja dhe kaosi që po e shoqëron këtë proces hedh hije të forta dyshimi për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të respektuar një nga kolonat e marrëveshjes politike të materializuar në kodin zgjedhor  për përdorimin e identifikimit elektronik në qarkun e Tiranës dhe numërimin elektronik në qarkun e Fierit.

Identifikimi elektronik në qarkun e Tiranës është i rëndësishëm për opozitën sidomos në zonat e Bathores, Kamzës dhe Paskuqanit, ku në të kaluarën, sipas saj, ka patur vota fiktive të njerzve që nuk kanë marrë pjesë në votim. Numërimi elektronik në qarkun e Fierit është i rëndësishëm sepse gara për mandatin e 16-të të qarkut mund të përcaktohet nga një grusht votash.

E.Zaloshnja

Intervista e Gjiknurit: http://www.mapo.al/2012/11/19/gjiknuri-si-po-ndryshojne-mandatet-ne-berat-e-kukes/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.