Gjermani/ Një ligj i ri jep shanse të tjera për refugjatët "e mirë"

Një ligj i ri synon t'u lehtësojë të huajve pa leje qëndrimi, qëndrimin në Gjermani nëse janë në gjendje të mbajnë veten. Të tjerët i presin kohë të vështira. Kush ka kryer akte penale mund të dëbohet më lehtë. “Deutsche Welle” njofton se Ministria e Brendshme i paraqiti kabinetit një projektligj, me të cilin synohet të garantohet një e drejtë qëndrimi në rastet e "integrimit të vazhdueshëm". Projektligji, siç u bë e ditur nga qarqe të ministrisë, do të ketë edhe një sërë kushtesh që lidhen me dhënien e lejes së qëndrimit: personat duhet të jenë prej tetë vitesh në Gjermani, të mund ta përballojnë vetë jetesën dhe të flasin mjaftueshëm mirë gjermanisht. Për prindërit mjafton të kenë kaluar gjashtë vjet në Gjermani. Sipas “Deutsche Welle” nga efektet pozitive të projektit të reformës, thuhet në qarqet e ministrisë, do të përfitojnë disa dhjetëra mijëra të huaj me duldung. Aktualisht në Gjermani janë rreth 150.000 të huaj pa një leje të vlefshme qendrimi. Rreth 30.000 njerëz të këtij grupi janë prej më shumë se tetë vjetësh në Gjermani dhe mund të përfitonin nga rregulli i ri, me kusht që të plotësojnë katalogun e gjatë të kritereve. Se sa është numri i atyre që do të preken nga paragrafët e ashpërsuar të ligjit, është e paqartë.
L.V
Add new comment