Gjeopolitika e tubacionit të gazit. Varësia e energjisë së Turqisë nga Rusia ndryshon projektin e tubacionit që do ndërtohej në Bullgari

Vendimi i Rusisë për të anuluar një tubacion gazi në Bullgari duke preferuar Turqinë po cilësohet nga autoritet turke si një fitore e rëndësishme për Ankaranë në ambiciet e saj për t’u bërë një shpërndarës energjie me rëndësi në rajon. Por, “Zëri i Amerikës” thotë se ka dyshime në rritje se sa me interes është ky tubacion për Turqinë. Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk për të ndërtuar një tubacion gazi natyror në Turqi do të mund të ishte një hap i madh në drejtim të arritjes së qëllimit strategjik për Ankaranë, sipas Sinan Ülgen të Institutit Carnegie në Bruksel.
“Zëri i Amerikës” njofton se tubacioni i ri do të zëvendësojë tubacionin South Stream me vlerë 45 miliardë, i cili do të kishte shkuar nga Rusia në Bullgari. Putin fajësoi vonesat nga Sofja për vendimin e tij për anulimin e këtij projekti. Turqia, e cila është e varfër me energji, ka kërkuar prej kohësh të shfrytëzojë vendndodhjen e saj midis vendeve të pasura me naftë e gaz në jug dhe lindje të saj dhe tregut kyç të Bashkimit Evropian. Por eksperti i energjisë Emre Iseri i Universitetit Yasar në Izmir të Turqisë, thotë se është e paqartë se sa do të përfitojë Ankaraja nga një tubacioni i ri gazi rus.
Gjatë analizës “Zëri i Amerikës” thotë se çmimi i gazit rus shihet gjithashtu si një bllokues i mundshëm përparimi. Përveç gazit iranian, gaz rus është më i shtrenjti që Turqia blen. Për të ëmbëlsuar marrëveshjen për tubacionin e ri, Putin njoftoi një ulje prej 6% të çmimit, por zyrtarët turq thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. Analisti Ulgen thotë se Moska mund të pranojë kërkesat e Ankarasë pasi tubacioni i ri është i motivuar nga objektiva strategjike dhe ekonomike.
“Zëri i Amerikës” shkruan gjithashtu se gjatë vizitës shtetërore të zotit Putin në Turqi javën e kaluar, ai e përshkroi Turqinë si një "partner strategjik". Analistët theksojnë se të dy presidentët, ai rus dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë, duket të jenë të ngjashëm politikisht, pasi kritikohen për tendenca autoritare dhe shpesh kritikojnë vendet perëndimore. Por ka shqetësime në Ankara lidhur me varësinë e saj energjitike, pasi Rusia aktualisht është përgjegjëse për 57 për qind të importeve totale të gazit në vend. Tubacioni i ri i propozuar do të mund të rriste këtë shifër në mbi 70 për qind.
L.V
http://www.zeriamerikes.com/content/tubacion-nafte-rusi-turqi/2556767.html
Add new comment