Gent Ibrahimi: Kushtetuta duhet rishikuar. Disa kompetenca të Presidentit janë të papërshtatshme

Konstitucionalisti Gent Ibrahimi, drejtues i Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, ka dhënë një intervistë për revistën Klan, ku shprehet se krizat sistematike që ka kaluar, vërtetojnë nevojën e ndërhyrjes në Kushtetutë. Ibrahimi trajton idenë e parlamentit dy dhomësh, riformatimin e institucioneve të gjyqësorit, e gjithashtu ndalet gjatë në kompetencat presidenciale. Ja ç’thotë ai për këto të fundit:
-Presidenti i Republikës sipas Kushtetutës shqiptare ka rolin e një kryetari shteti sipas atij që njihet nga regjimet e republikave parlamentare: Pra, të një presidenti jo qeverisës. Në këtë kuptim, duket e papërshtatshme që ai të jetë më aktiv ose dominant në procese vendimmarrëse politike, të cilat ai kurrësesi nuk mund t’i ushtrojë i vetëm (siç mund të jetë emërimi i ministrave, i ambasadorëve ose i gjyqtarëve dhe prokurorëve).
-Presidenti ka një pozitë delikate përballë të dy grupeve: Forcave politike, të cilave duhet t’u imponohet në interes të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës. Ndaj amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera: Për shembull, qenia kryetar i KLD-së dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarësisht faktit që nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen dhe për emërimin e prokurorëve, ku në fakt Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një president joqeverisës dhe një gjyqësor të pavarur, a është i nevojshëm drejtimi i KLD nga Presidenti i Republikës? Tjetër: Roli i Presidentit si komandant i Forcave të Armatosura dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, a është i përputhshëm me një president joqeverisës? Roli vendimtar në emërimin e ambasadorëve të shtetit shqiptar jashtë vendit, a përputhet me rolin e presidentit joqeverisës kur është qeveria ajo që përcakton politikat e brendshme dhe të jashtme të shtetit, sipas programit të saj?
a.k
intervista e plotë: http://www.revistaklan.com/index.php?id=4815&mod=2
Add new comment