Gazetari amerikan për Lindjen e Mesme, David Ignatius, thotë se strategjia e SHBA ka dështuar

Postuar në 19 Tetor, 2014 10:31

As shtimi i sulmeve ajrore të SHBA nuk e ka ndalur përparimin e IS. David Ignatius shkruan për Washington Post dhe është një nga gazetarët më të profilizuar në SHBA. Aktualisht ai merret kryesisht me situatën në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Gjatë një intervistë për “Deutsche Welle” ai shprehet se e sheh me skepticizëm strategjinë e deritanishme të SHBA. David Ignatius thotë: “Siç duket situata tani, strategjia ka dështuar. IS është duke avancuar në Irak dhe Siri. Është e domosdoshme një trysni më e madhe. Presidenti ka marrë rekomandime të shtojë angazhimin ushtarak në Irak, me më shumë helikopterë ushtarakë Apache dhe avionë luftarakë. Por sado e vështirë të jetë situata në Irak, problemi më i madh është Siria. Atje nuk ka trupa tokësore që mund të mundnin IS”. David Ignatius thotë se para dy javësh isha në Siri, me opozitën atje, dhe se ajo është një grupim kaotik, që nuk është në gjendje ta fitojë këtë luftë. “SHBA dhe aleatët e saj vihen kështu në një situtatë të vështirë. Nuk ka aleatë të fuqishëm në terren. Dhe ne nuk duam të dërgojmë trupat tona atje. Frika më e madhe e Obamës është që të bjerë në një grackë. Pra që të përfundojë në të njëjtin mision fatal si në 2003, kur SHBA hyri më trupa në Irak dhe atje më pas u vendosën gjithnjë e më shumë trupa. Me rezultatin që kaosi u bë gjithnjë e më i madh. Në parim në misionet ushtarake të cilat fillojnë të kufizuara, trysnia rritet me kalimin e kohës që të dërgohen më shumë ushtarë. Këtë e dimë nga Vietnami, Iraku dhe Afganistani. Eshtë gati e dhimbshme të shohësh Presidentin Obama si përpiqet të hapë një faqe të re në historinë amerikane, për t‘i dhënë fund këtyre intervenimeve. Dhe pastaj, i detyruar nga logjika mizore e situatës, detyrohet të bëjë pikërisht të kundërtën e asaj që në të vërtetë donte”, thotë mes të tjerash në intervistën e tij për “Deutsche Welle” gazetari amerikan.

 

L.V

http://www.dw.de/ignatius-strategjia-e-shba-ka-d%C3%ABshtuar/a-18006275

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.