Gazeta Sot: Imami po e shkrin Ushtarakun në favor të familjarëve të Berishës

E majta ka dhënë alarmin për përvetësimin dhe privatizimin e Spitalit Ushtarak nga kupola në pushtet. Gazeta Sot shkruan se Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka vendosur të kalojë në duart e sekserëve dhe vetë familjarëve të Sali Berishës Spitalin Ushtarak në Tiranë. Defakto një pjesë e këtij spitali ka kaluar në duart e familjarëve të Berishës, por Arben Imami po kryen në fshehtësi procedurat, për ta legalizuar këtë grabitje dhe skandal të rëndë kombëtar. Më konkretisht, Arben Imami po përgatit procedurat për të liruar mjediset e Spitalit Ushtarak në favor të një spitali privat, pas të cilit fshihen njerëz të afërt të kryeministrit Berisha. Deputeti socialist, Eltar Deda, ka deklaruar se gjithçka po kryhet në mënyrë të fshehtë dhe të paligjshme. “Transferimi i shërbimit të Traumatologjisë nga Spitali Ushtarak pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, po tentohet të bëhet pa u parashikuar në buxhetin e 2013 si dhe pa një masterplan nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk mund të shkrihet Spitalit Ushtarak, apo pjesë të tij, pa një masterplan dhe një proces transparent. Gjithçka po bëhet në mënyrë të fshehtë dhe të dyshimtë. Dyshimet lindin, kur këta pretendojnë se ambientet e Spitalit Ushtarak do t’i kalojnë privatit. Pse po e bëjnë pikërisht me kaq ngulm? Çfarë u bë me fondin norvegjez 150 mijë dollarë, që u akordua për masterplanin e spitalit? Ku është ky masterplan? Nuk ka masterplan dhe asnjë parashikim në buxhet. Gjithçka është e paligjshme”, ka deklaruar Deda, sipas të cilit qeveria e majtë do të bllokojë këtë skandal, ndërsa përgjegjësit do të japin llogari.
Shkrimin e plotë e gjeni në linkun: http://www.sot.com.al/politike/familjar%C3%ABt-e-berish%C3%ABs-p%C3%ABrvet%C3%ABsojn%C3%AB-spitalin-ushtarak-arben-imami-p%C3%ABrgatit-procedur%C3%ABn-n%C3%AB
A.K
Add new comment