Gazeta "Shqip": Mustafa Nano në rolin e ri të një showman-i

Dario Fo, shkrimtar, dramaturg, aktor dhe fitues i çmimit “Nobel” 1997 në Letërsi, është ndër më të njohurit në Europë kur bëhet fjalë për shfaqje skenike të gjinisë “One Man Show”. Shqipëria ende nuk e ka një Dario Fo, por ndoshta do ta ketë në një të ardhme. Gazetari dhe publicisti Mustafa Nano në sallën e Akademisë së Arteve mund të mos jetë një Dario Fo i ardhshëm i skenës së stand up comedy, po ama ishte një “Show man” që për më shumë se një orë e mbajti të mbërthyer publikun”, me monologun “Dhe profetët… dinë të puthin”.
Salla ishte mbushur plot, ndoshta provokuar edhe nga titulli me të cilin Much Nano (siç i referohet ai vetes) ftonte publikun. Ky i fundit ishte parapërgatitur të provokohej dhe ndoshta ishte aty pikërisht për këtë…
Shfaqja nis thjesht. Me një rënie gongu dhe një prezantim alla Broduej. Në sfond si skenografi janë vendosur karikaturat e përfaqësuesve të pesë besimeve; katolik, budist, besimit mysliman, juadaik dhe ortodoks. Skena ishte e gjitha në funksion të tekstit që vetë Mustafa Nano kishte shkruar posaçërisht për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. Kësaj radhe është ai përballë tyre, nuk ka ekran që i ndan dhe as faqe gazete. Të vetmit që janë në krahun e tij janë karikaturat e klerikëve. Ata qëndrojnë aty në heshtje, në pritje të dëgjojnë se ç’ka për të thënë oratori për Zotin e tyre. Thjeshtësia e skenografisë do t’i jepte rëndësi asaj çka oratori thotë dhe orienton publikun drejt marrjes së esencës së mesazhit.
Narracioni nis nga Roma pikërisht në Kapelen Sistine ku mes shumë e shumë pikturave të Mikelanxhelos, Mustafa Nano veçon atë më të famshmen; “Krijimi i Adamit” që tregon momentin kur Zoti zgjatet për t’i dhënë dorën njeriut të parë në tokë.
Nga ky moment nis e zhvillohet një diskutim mbi fenë, blasfeminë, Zotin, profetët, botën e këtejme dhe të përtejme, librat e shenjtë e deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit. I vijnë në ndihmë herë pas herë Aristoteli, Volteri, Dostojevski, Koliqi, Kadare, sepse Muç Nano në këtë lloj komunikimi të ri kishte zgjedhur të ndante me publikun qëndrimet e tij, sigurisht duke u mbështetur në referenca të ndryshme.
Në një farë mënyre ai ishte përballë një publiku skeptik me një show që me shumë mundësi do të përbaltte çka secili besonte, e në fund arriti t’i bënte për vete. Efekt ky që mund të ketë ardhur dhe nga sportiviteti me të cilin u paraqit në skenë. Tregoi se çdo gjë, përfshirë këtu dhe besimin në Zot që është shtyllë besimi për ekzistencën e njeriut mund të jetë subjekt i një show satirik, madje mund të vësh në pikëpyetje doktrinën e besimit, të blasfemosh sikur përtej pasqyrës edhe ti mund të jesh Zot, se librat e shenjtë e kanë zili Kanunin e Lekë Dukagjinit, se ndodh që në një librari të zbresë Jezusi dhe Muhamedi dhe të kërkojnë një takim me autorin e librit Pax Albanica etj., etj… dhe pas gjithë këtyre kupton se si fetar ashtu dhe jofetar qofsh doktrina ku ti beson nuk të tingëllon aspak e përbuzur. As kur oratori Muç Nano kapërcen disi kufijtë e diskutimit nga ai për fenë dhe profetët te gratë, homoseksualizmi ose seksi.
Ndoshta sepse mënyra elegante që Muç Nano kishte zgjedhur për t’i folur publikut për të ndarë me të qëndrime për të cilat ndoshta nuk bien as dakord i dha atij pushtetin e një show man në skenë. Në fund të këtij diskutimi që nisi në Romë dhe përfundoi në Tiranë, mbi doktrinën fetare oratori Mustafa Nano e mbyll kumtin me çka kumton dhe libri i tij Pax Albanica që për ne shqiptarët kombi qëndron mbi çdo doktrinë tjetër. Dario Fo përveç fjalës ka dhe talentin prej aktori që sigurisht Mustafa Nano nuk e ka, por ai arriti përmes fjalës, të kishte një performancë që me siguri do të sillte publik në sallë. Por nëse Muç Nano vendos ta risjellë sërish show-n e tij për publikun duhet së pari të ndryshojë skenë. Kërcitjet e parketit të skenës së amortizuar të Akademisë së Arteve poshtë këmbëve të tij nuk ishte muzikë e mirë për veshët e publikut. Dhe së dyti, duhet të mendojë pak më shumë për publikun në fund të sallës që mezi e dëgjonte. Një mikrofon nuk do bënte asgjë më shumë veçse t’i jepte zë edhe më shumë asaj ç’ka Mustafa Nano donte të ndante me të gjithë.
Shqip
Add new comment