Fullani organizon mbledhje të jashtëzakonshme, shkarkon dy drejtorë

Banka Qendrore ka shkarkuar nga detyra dy drejtorë të saj, të cilët mendohet se janë përgjegjës për mbikëqyrjen jo të plotë të thesarit. Burime konfidenciale thanë për “Vizion Plus” se, guvernatori Ardian Fullani ka zhvilluar të enjten në mbrëmje një mbledhje të jashtëzakonshme duke thirrur anëtarët e bordit mbikëqyrës.
Tema e diskutimit ka qenë vjedhja e 713 milion lekëve. Pas analizës, mësohet se është shkarkuar nga detyra drejtori i Departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku dhe drejtori i Sigurimit dhe Mbrojtjes, Eduart Sinani. Të dy këta persona janë pushuar pasi nuk kanë kryer si duhet detyrën dhe nuk janë më të aftë të mbajnë pozicionin që kanë ne bankë.
Por, brenda bankës qendrore pritet të ketë edhe lëvizje të tjera. Ato do të vendosen pas kontrollit që do të ushtrojë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Aktualisht inspektoret e KLSH-së presin që të marrin certifikatën e sigurisë pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, për të zbuluar gjithë hallkat e implikuara në supervjedhje.
S.S
Add new comment