FSHP-Bezhani, përplasje për Romelën... ose më saktë për të fejuarin e saj

Dështimeve të ekipit olimpik shqiptar, tashmë po iu analizohen shkaqet. Romela Begaj, e cila u rendit në vend të 6- të në Pekin, u rendit vetëm e 11-ta në Londër. Për një paraqitje të tillë, sulmet e para shkojnë për trajnerin, i cili është i fejuari i saj. Shefi i misionit olimpik në Londër, Viron Bezhani, thotë në numrin e sotëm të Gazetës Shqiptare se është turp që shtanga drejtohet nga njerëz pa haber.
Gazmend Hakçani është njëherazi i fejuari dhe trajneri i Romelës. Bezhani thotë se “ai nuk është marrë asnjëherë me sportin e shtangës, për të mos thënë që është mjaft i ri për të qenë trajner”. Por sipas sekretarit të Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kraja, Hakçani ka marrë njohuri të nevojshme duke qëndruar për pesë vite me radhë në palestër ku stërvitej Romela. “E shikoni ku është katandisur sporti ynë? Ju e keni parë në televizor, ata nuk dinin as kur kishin radhën e jo më të pretendosh rezultate”, thotë Bezhani. Sipas tij, problemi nuk është se pse është i fejuari, por se “ai djalë nuk ia ka haberin shtangës”.
“Sportisti duhet të jetë i qetë kur të garojë, duhet të mendojë vetëm për konkurrimin e jo të pushtohet nga emocionet. Pas garës, Romela thoshte se trajneri i dytë s’i kishte bërë mirë nxemjen e gjëra të tilla”, shton Bezhani. Megjithatë sekretari i FSHP-së Ilir Kraja shprehet me nota pozitive sepse Romela ka ngritur 1 kilogram më shumë se herët e tjera. (A.N.)
Add new comment