Franca me kryeministër të ri. Media franceze e cilëson si “djathtisti i së majtës” ndërsa ajo italiane si “Renzi francez”

Postuar në 31 Mars, 2014 15:19

Ndërrim kryeministri në qeverinë e Francës. Është lëvizja e parë e Presidentit Francois Hollande pas disfatës në zgjedhjet administrative, me triumfin e së djathtës dhe humbjen e 15 qyteteve. Në vend të kryeministrit aktual Jean-Marc Ayrault, që është dorëhequr pasdite sëbashku me të gjithë kabinetin, do të jetë Manuel Valls, për momentin Ministër i Brendshëm. Ky është lajmi i dhënë nga vetë Presidenti francez në mbrëmje. Një qeveri që përfaqëson ”një fazë të re”, ka thënë Hollande, dhe do të jetë “një qeveri luftarake” që do të ketë tre objektiva kryesorë: “t’i japë një shtytje të re ekonomisë”, “drejtësinë sociale” dhe të rrisë “fuqinë blerëse” të francezëve.

Manuel Carlos Valls ka lindur me 13 gusht 1962. Ai është një politikan i Partisë Socialiste franceze dhe që prej vitit 2002 është anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe kryebashkiak i Évry (në rrethinat jugore të Parisit). Me 16 Maj 2012 ai u emërua Ministër i Brendshëm i qeverisë franceze të drejtuar nga Jean-Marc Ayrault. Valls ka lindur në Barcelonë por ka marrë nënshtetësinë franceze në 1982. Është tifoz i ekipit të Barcelonës, klubin e famshëm të futbollit, të cilit, himnin ia ka kompozuar kushëriri i tij i dytë që mban të njëjtin emër. Pasi ka shërbyer si këshilltar për Çështjet e Rinisë pranë kryeministrit Michel Rocard nga 1988 në 1991, ai ka mbajtur detyrën e Këshilltarit për Median pranë kryeministrit Lionel Jospin nga 1997 në 2001. Në vitin 2012, ai ka tentuar postin e kandidatit për President por në garën brenda partisë është renditur në vend të pestë që në raundin e parë.

Menjëherë, ai është pozicionuar në mbështetje të Francois Hollande dhe ka bërë fushatë për të në raundin e dytë. Valls është konsideruar shpesh në Francë si përfaqësues i krahut social-liberal të Partisë Socialiste Franceze. Atë e kategorizojnë si “krah i djathtë” në Partinë Socialiste, me një qasje të ngjashme me social-demokracitë gjermane, hollandeze dhe skandinave. Gjatë fushatës brenda partisë për postin e kandidatit për President, ai e ka cilësuar veten si "Klintonian” dhe si “Bleiritian" dhe e ka përshkruar veten si vijues të traditës së Pierre Mendes France, Lionel Jospin dhe Michel Rocard. Mbështet tezën se fjalimet politike duhet të jenë “realistë” dhe pa "demagogji" ndërsa i pëlqen të cilësohet si “reformator” dhe jo si “revolucionar”, kur flet për përpjekjet që duhen bërë për të “pajtuar  të majtën me qasjen liberale”.

Ndërsa mediat franceze analizojnë biografinë e kryeministrit të ri, media italiane preferon ta cilësojë Valls-in si një “Renzi francez”. “Ambicioz, karizmatik, dinamik e mbi të gjitha popullor. Kryeministri i ri francez Manuel Valls është një njeri që ngjall emocione të forta, dashuri dhe urrejtje, i krahasuar nga shumë analistë me Matteo Renzin, për qëndrimet e tij të drejtëpërdrejta dhe reformiste” shkruan ANSA. 

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.