Forumi Civil: Me këtë KQZ nuk mund të shkohet në zgjedhje; kanë për të qenë zgjedhjet më të kontestuara

Postuar në 16 Maj, 2013 05:32

Forumi Civil i drejtuar nga Alfred Moisiu ka organizuar në diskutim publik dje, dhe tema ka qenë “zgjedhjet dhe KQZ-ja”. Secili prej folësve u ka rënë borive të alarmit. Ne po publikojmë thelbin e diskutimeve që u bënë aty:

Alfred Moisiu: “Gjatë gjithë historisë zgjedhore shqiptare, organi që administron zgjedhjet, KQZ-ja, ka qenë gjithmonë mollë sherri për partitë politike. Dhe një përgjegjësi të madhe për politizimin e këtij institucioni ka dhe OSBE.”

Vjollca Meçaj, kryetare e Komitetit të Helsinkit: “Mazhoranca ka një përgjegjësi të madhe për situatën aktuale në KQZ. [Por] opozita nuk mund t’ia lejojë luksin vetes të rrijë kaq e heshtur për një çështje kaq të rëndësishme, siç është nevoja për ta kthyer në normalitet këtë institucion thelbësor për zgjedhjet shqiptare.”

Ermir Dobjani, ish avokati i Popullit: “Nga pikëpamja ligjore, KQZ me katër anëtarë bllokon vendimmarrjen zgjedhore dhe në ndihmë në këtë rast nuk mund t’i vijë Kolegji Zgjedhor. Kjo nuk mund të bëhet dhe për shkak të parimit të përgjithshëm, sepse pa u ezauruar rruga administrative, nuk mund të bëhet shqyrtimi i çështjes nga organet gjyqësore, pavarësisht se çfarë presupozon Kolegji Zgjedhor. Aq më shumë që ka edhe një vendim të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të vitit 2010, pikërisht për këtë çështje që shprehet hapur se pa ezauruar rrugën administrative, nuk mund të angazhohet gjyqësori për zgjidhjen e këtyre çështjeve”.

Luan Omari, konstitucionalist: “Për zgjidhjen e situatës aktuale në KQZ, ka dy rrugë. E para ka të bëjë me rikthimin e përbërjes të mëparshme të këtij institucioni, nisur nga fakti se shkarkimi i anëtarit të KQZ-së, është bërë në shkelje të Kodit Zgjedhor. Por një zgjidhje mund të jetë edhe ajo e rikompozimit të KQZ-së me një marrëveshje ‘in extremis’. Është joligjore që Kolegjit Zgjedhor t’i jepen kompetenca, të cilat i takojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në rast se ky i fundit nuk arrin dot të marrë vendim.”

Fatmira Laska, ish-kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive: “Kodi Administrativ është shumë i qartë në pjesën ku [thotë se] KQZ nuk mund t’i adresojë vendimmarrje Kolegjit Zgjedhor në një kohë kur nuk arrin të formojë korumin prej pesë anëtarësh, në rastet kur kjo shumicë e cilësuar kërkohej. Nuk e kuptoj se pse politika po harron një institucion kaq të rëndësishëm siç është KQZ-ja. Askush nuk mund të bëjë sehir në një situatë të tillë.”

Njazi Jaho, konstitucionalist: “Moszgjidhja e problemit të KQZ-së i bën zgjedhjet e pakonceptueshme. Me këtë KQZ, ligjshmëria e zgjedhjeve është në pikëpyetje dhe po kështu vendimet nuk do të arrijnë të merren. Unë jam i mendimit se ky proces do të ketë shumë kontestime, para dhe pas ditës së zgjedhjeve, do të ketë më shumë kontestime se çdo proces tjetër ndonjëherë më parë në vend.”

Pëllumb Xhufi, historian, ish diplomat: “Të gjithë po shohim se si po shpërdorohen fondet publike për publicitete. Kujtoj atë publicitetin për ministrin e Mbrojtjes, që dihet se është në funksion të zgjedhjeve dhe që kushton shumë dhe përsëritet pafundësisht. Kujtojmë këtu dhe lajmet që kanë dalë për lobimet, për shuma të mëdha për të lobuar me grupin ‘Podesta’ të cilat bëhen në emër të interesit publik, por është krejt e qartë që bëhen në funksion të zgjedhjeve.” 

Kujtim Çashku, kineast: “Duhet të jemi konkretë dhe të gjejmë çfarë duhet. Mua më shqetëson kultura shpirtërore dhe shoh një fenomen dhe prirje destruktive si shoqëri. Nuk kemi forcë të elaborojmë fuqinë pozitive. Politika ka tendencën për të qenë pjesë e rretheve vicioze. Ne po ekspozojmë një sistem të mbyllur me politikë llogoresh. Ndaj ne duhet t’i shmangemi identifikimeve të caktuara politike, duke qenë të paanshëm.”

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.