Fituesit e Botërorit i dimë, njihuni me 11-shen më zhgënjyese. Nga Kasijas e Xherard, tek Muntari e Diego Kosta

Titujt u shpërndanë, më të mirët u mbushën me lavdi, por rrjeti amerikan ESPN ka menduar edhe për përzgjedhjen e 11-shes më zhgënjyese të Botërorit të Futbollit në Brazil. Numërimi fillon me portierin spanjoll Kasijas, që në Brazil ishte një zhgënjim total. Në eliminimin tragjik e të parakohshëm të Spanjës dha një dorë edhe mbrojtësi Serxhio Ramos. Pastaj në krahë qëndrojnë brazilianët Dani Alvesh dhe Marselo, të dy shumë pak bashkëpunues me ekipin dhe të pafuqishëm për të parandaluar depërtimin e gjermanëve në atë humbje shokuese 7-1. Në këtë formacion yjesh të venitur vjen edhe portugezi Pepe, i ndëshkuar me të kuq që në takimin e parë në grup kundër Gjermanisë. Nga Anglia më shumë se të gjithë vendin e meriton Stiven Xherard. Muntari plotëson mesfushën për penalizimin te Gana nga mungesa e disiplinës, ndërsa në krah ndodhet Antonio Valencia për kartonin e kuq ndaj Francës, në një takim kur Ekuadori kishte ende shanse për kualifikimin. Kun Aguero është zhgënjimi më i madh te Argjentina, sidomos në finale, ku prania e tij ishte thuajse inekzistente. Kemi edhe Diego Kostan te Spanja dhe Fred te Brazili. Por ka edhe kandidatë të tjerë si Aleks Song, Kagava, Ksabi Alonso, Dzeko, Baloteli etj.
a.k
Add new comment