Falenderim për Policinë e Shtetit në Pallatin e Brigadave. Dasho Aliko procedohet penalisht

Ndërkohë që Lazarati “ende nuk ka mbaruar”, kryeministri Rama takoi sot në Pallatin e Brigadave, forcat e Policisë së Shtetit, në shenjë falënderimi për kontributin e secilit në operacionin në Lazarat kundër krimit dhe lëndëve narkotike. Kryeministri përshëndeti dhe takoi një nga një efektivët e policisë. I shoqëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, Rama mbajti fjalimin e tij për të falënderuar dhe për t’i dhënë mirënjohjen forcave të Policisë së Shtetit. Ai u premtoi atyre mbështetjen e qeverisë dhe të shqiptarëve dhe i kujtoi se çdo shqiptar është me ta, duke bërë një tifo më të madhe se ajo për Kupën e Botës në Brazil.
Në terren vazhdojnë kontrollet dhe verifikimet e policisë dhe grupeve hetimore, ndërsa lajmi më domethënës i ditës është procedimi penal në gjendje të lirë ndaj kryetarit të Komunës Lazarat Dashnor Et’hem Aliko, vjeç 55. Ndaj këtij shtetasi janë kryer veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, si i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë”, “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”, “Moskallëzim krimi”, “Përkrahje e autorit të krimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit”. Pre dy ditësh përflitej mundësia e procedimit ndaj Alikos.
a.k
Add new comment