Erdogan kalon në kundërsulm: I kërkon SHBA-së ekstradimin e Gulenit

Deri para zgjedhjeve dukej në pozita mbrojtëse, i goditur nga disa skandale njëherësh. Por kryeministri turk ka kaluar në kundërsulm. Turqia pritet të nisë procedurat për ekstradimin e klerikut turk me banim në SHBA, Fethullah Gulen, ka bërë të ditur kryeministri Recep Tayyip Erdogan. Gulen, një ish-aleat i kryeministrit turk, akuzohet nga Erdogan se ka përdorur mbështetësit e tij në përpjekje për të rrëzuar atë nga pushteti. Kleriku mohon të ketë nxitur ndonjë fushatë kundër tij. Duke folur në Parlament, pas takimit me zëvendësit e tij në partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) sot, Erdogan konfirmoi se procesi për ekstradim “do të nisë”.
Kryeministri turk ka folur disa orë pas një interviste me rrjetin amerikan PBS, në të cilën ai tha se shpresonte që SHBA-të të depërtonin Gulen dhe ta rikthenin atë mbrapsht në Turqi.
Ajo ishte intervista e parë për mediat e huaja, që kur partia e tij u shpall fituese në zgjedhjet lokale të muajit të kaluar. Në intervistë, Erdogan tha se shpresonte që Uashingtoni, si një “shembull partneriteti”, duhet të merret seriozisht me këtë çështje. “Të paktën, ata duhet ta deportojnë atë”, shtoi ai.
a.k
Add new comment