A ekziston rreziku i një versioni të ri të krizës së euros?

Për një kohë të gjatë u duk, sikur në Evropë po kthehej me ngadalë qetësia dhe se ekonomia po e merr veten gradualisht, Greqia po i bën detyrat e shtëpisë dhe po konsolidon buxhetin.
Por Jërg Krämer, kryeekonomist i Commerzbank, është i kujdesshëm në vlerësime: "Ne shohim disa përparime si për shembull në Spanjë, në Portugali, Irlandë", thotë Krämer për DW. Këto vende e kanë rifituar aftësinë konkurruese përmes reformave. "Por akoma nuk mund të shënojnë suksese. Sidomos në vendin më të madh të krizës në Itali." Italia po humbet vazhdimisht aftësinë për të konkurruar. Por sikur të mos mjaftonte kjo: në takimin e fundit të ministrave të Financave të BE në Vilnius të Lituanisë edhe Franca, ekonomia e dytë për nga rëndësia në Evropë, u qortua për shkak të mungesës së vullnetit për t'u reformuar.
Përveç kësaj Sllovenia mund të jetë një vend i ri problematik, sepse në bilancet e bankave ka mungesë milionash. Përveç kësaj që këtë vjeshtë përfundojnë programet e ndihmës për Irlandën, Spanjën, dhe Portugalinë. Dhe që Greqisë i duhen më shumë para, është e qartë edhe para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani: "Njëmbëdhjetë miliardë për dy vitet e ardhshme", vlerëson Johannes Mayr, ekspert i euros në bankën Bayern LB. "Dhe pastaj do të jetë i nevojshëm një program i mëtejshëm, ndoshta në vlerën e dhjetë miliardë eurove, për t'ia lehtësuar këtij vendi kalimin në tregun e kapitalit privat", thotë Mayr për DW. A ekziston rreziku i një vjeshte të nxehtë, i një versioni të ri të krizës së euros? D.W.
Add new comment