Ekstremizimi, Krasniqi: “Zoti nuk ka nevojë për ndihmën e shqiptarëve që kanë humbur, komb, fe e atdhe…Reformim i thellë i Bashkësisë Islame”

Jakup Krasniqi shkruante dje një opinion në “Epoka e re” lidhur me arrestimet e fundit në Kosovë. “Arrestimet a janë të mjaftueshme?”, pyet Krasniqi, që ka kryer për disa vite detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi problemi me radikalizmin fetar sfidon të gjithë perspektivën e shoqërisë, ndërkohë që vetë shfaqja e tij nuk mund të kufizohet si përgjegjësi e vetëm atyre personave që përfshihen në të. Dhe Krasniqi e lexon thellë këtë përgjegjësi duke prekur thuajse të gjitha segmentet e shoqërisë. “Është vështirë në këto rrethanat tona ta amnistosh qoftë edhe një segment të shoqërisë sonë, madje duke filluar nga familja, nga arsimi fillor, i mesëm dhe i lartë, që janë shkëputur shumë nga edukimi tradicional shqiptar e shkencor, nga BIK-u, përgjegjësja kryesore për edukimin shpirtëror islam të qytetarëve, por dikujt në BIK nuk i ka mjaftuar ai pushtet, kanë kërkuar edhe pushtetin politik në mënyrë mjaft tinëzare...”, shkruan ndër të tjera ai. Më tej, në një përgjithësim me natyrë politike, Krasniqi thekson se aktualizimi në të njëjtën kohë i akuzave për krime lufte nga raporti i prokuorirt special Clint Williamson dhe arrestimi i 40 personave për pjesëmarrje në xhihad “janë duke e rrezikuar perspektivën e popullit dhe të shtetit”.
Por cili është sugjerimi i politikanit kosovar për të shpëtuara nga kjo dukuri që ai e quan “infektim i tmerrshëm”? Ja çfarë konkludon Krasniqi: “Nëse ne ia kemi nevojën Zotit për të na ndihmuar në rrugën e zhvillimit e të përparimit, Zoti nuk ka nevojë për ndihmën e shqiptarëve që kanë humbur, komb, fe e atdhe. Shoqëria jonë duhet të bënë shumë që të shërohet nga ky infektim i tmerrshëm, duke filluar nga familja e cila është humbësja më e madhe. Arrestimet, ndonëse të domosdoshme, nuk janë zgjidhja e duhur dhe afatgjate! Edukimi dhe arsimi i fëmijëve tanë me shqiptarizmin, me dijet shkencore për jetën është zgjidhja. Çështja është, sa janë të edukuar me dije shkencore njerëzit e arsimit të cilëve kombi ua ka besuar fëmijët e tyre, të ardhmen e kombit?! Ky arrestim i këtyre përmasave shtron nevojën e një reformimi të thellë në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet e tij”. Të vihet re se Krasniqit “i shpëton” këtu një element shumë thelbësor: korruptimi dhe dështimi i klasës plitike aktuale për t’i dhënë një perspective shoqërisë kosovare.
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=5&LID=2&ACatID=4&AID=49887&Ct...
s.z
Add new comment