Ekskluzive/Përgjimet në Drejtorinë Arsimore të Lushnjes, avokati Kozma Jano: Flitet për favore, presim materialin filmik

Postuar në 26 Nëntor, 2014 04:37

Nisur nga ngjarja në Lushnje ku drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Luiza Tabaku, djali i saj dhe një mësues fiskulture u arrestuan për marrje rryshfeti dhe të dhënave të "ResPublica" për elementë që implikojnë edhe persona me imunitet politik nga radhët e LSI-së në kërkimin e favoreve seksuale në këmbim të një vendi pune në arsim, ne kontaktuam me avokatin e Luiza Tabakut, Kozma Jano, i cili tha  se duhen edhe 5 ditë që materiali filmik t’i dorëzohet Prokurorisë, në të cilin flitet për përgjime të hapura ambjentaliste dhe pamje vizuale të këtyre akteve. Sipas tij, në pretendimet e prokurorisë gjatë seancës për vlerësimin e masës së arrestit ndaj Luiza Tabakut u shpreh shkarazi për favore që dalin nga teknika e përgjimeve, të cilat prokuroria mund t’ i nxjerrë si prova më pas gjatë hetimit, por që edhe mund t’i fshijë. Po ju përcjellim të plotë prononcimin e avokatit Kozma Jano për "ResPublica":

 

“Po diskutohet për favore, por për ne avokatët nuk është bërë gjë e qartë ende, çdo gjë është ende në kuadrin e thashethemeve. Ekspertët që kanë në dorë përgjimet po vazhdojnë të bëjnë teknikën e tyre. Deri në këtë moment duhen 5-6 ditë të përfundojë afati 1-mujor i vënë nga gjykata që nga dita e vendimit për nisjen e përgjimeve dhe më pas materiali t’i dorëzohet prokurorisë. Ne nuk kemi asnjë lloj prove që në këtë çështje implikohet direkt Luiza Tabaku. Favoret  i kërkonin persona të tjerë që ishin aty, që nga shoferi i saj deri tek menaxherët politkë. Faktikisht ndaj shoferit nuk është marrë masë ndonëse i ka dalë emri në të gjitha përgjimet dhe ndoshta prokuroria po e trajton me statusin e të penduarit. Kur Luiza ka marrë vesh për veprimet e shoferit e ka larguar nga puna dhe pastaj kanë nisur sherret. Thashë deri tani diskutohet, por unë nuk e kam parë si material. Materialet e para të paraqitura nga Prokuroria ishin sa për të futur në rjedhë të gjithë veprimin kriminal. Vetë Luiza ka thënë që janë menaxherë politikë që flisnin nga jashtë dhe që e kanë kërcënuar për djalin. Janë njerëz me imunitet politik që kanë bërë vazhdimisht presion. Në seancën e vlerësimit të masës së arrestit për Luiza Tabakun prokuroria kaq material nxori. Në kërkesën që parashtroi pretendohet përgjimi në ambjent të hapur me pamje vizuale, duke i rënë shkarazi për favore të ndryshme. Ato që pretendon akuza për favore nuk ishin si akt në dosje, por ajo mund t’i nxjerrë ato gjatë hetimit. Janë të fshehta që i ruan hetimi dhe akuza duket e kënaqur. Ata nuk e paraqiten teknikën e përgjimit dhe ështe detyrim i tyre të na e vënë në dispozicion. Kuptohet ata dhe mund ta fshijnë materialin”

 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.