Ekipi hetimor zbardh aksidentin, të hënën mbërrin në Shkup raporti për vdekjen e presidentit Trajkovski

Janë dashur 10 vjet për të arritur në një raport përfundimtar zyrtar. Agjensia “INA” bën me dije se të hënën do të mbërrijë në Shkup raporti për fatkeqësinë ajrore ku humbi jetën presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski. Sipas INA-s bashkë me raportin do të mbërrijnë në Shkup edhe ekipi hetimor dhe shefi i këtij ekipi për fatkeqësinë, hetuesi boshnjak Omer Kuliq. INA thotë se nuk dihet se Kuliq a do të zbardhë dhe sqarojë të gjitha dilemat që kanë të bëjë me fatkeqësinë ajrore kur më 26 shkurt 2004, presidenti Trajkovski humbi jetën si pasojë e rrëzimit të avionit zyrtar në afërsi të Mostarit, në lokalitetin Rotmilje në Bosnjë Hercegovinë. Raporti më pas do t’i dorëzohet Prokurorisë së Maqedonisë, e cila do të vendos për detaje të mëtejshme. Mediat boshnjake kanë raportuar dje se Kuliq në raport ka të sqaruar dhe analizuar të gjitha detajet për rënien e avionit, por ai nuk guxon të publikojë ato, për shkak se sipas standardeve ndërkombëtare, vendimi për shpalljen e tyre i takon autoriteteve të Maqedonisë. Një pjesë e hetuesve kanë theksuar jozyrtarisht se nuk bëhet fjalë për atentat, por për ngatërresa dhe lëshime gjatë aterimit, apo edhe për shkak të mosreagimit me kohë të misionit SFOR të NATO-s në Bosnjë.
L.V
Add new comment