EIU: Demokracia në Shqipëri në nivelin e Venezuelës së Çavezit

Shqipëria është një regjim hibrid. Ky është konkluzioni që nxirret nga indeksi i demokracisë në botë, të publikuar nga revista britanike “The Economist”, përmes njësisë së saj analitike ‘The Economist Intelligence Unit’.
EIU arrin në përfundimin se ka pasur një lloj gjendje në vendnumëro; që do të thotë as progres i qenësishëm, por as regres i demokracisë për vendin në fjalë, duke marrë zhvillimet deri në fund të vitit të kaluar.
Në vëzhgimin e saj, EIU merr në analizë gjendjen e demokracisë për 165 shtete të pavarura dhe dy territore – çka mbulon thuajse të gjithë popullsinë e botës. Indeksi i demokracisë mbështetet në 5 kategori: procesin zgjedhor dhe pluralizmin; liritë qytetare; funksionimin e qeverisë; pjesëmarrjen politike dhe kulturën politike.
Në total, indeksi dallon katër lloje regjimesh: demokracitë e plota, demokracitë me të meta, regjimet hibride dhe regjimet autoritare. EIU e rendit Shqipërinë tek regjimet hibride; në një klasifikim që përfshin 37 shtete dhe 14 përqind të popullsisë së botës. Ne këtë liste Shqipëria mbetet pas shumë shteteve të Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës, duke u renditur poshtë Bangladeshit, Sri Lankës e Tunizisë dhe sipër Nikaraguas.
Ndërkohe shtete si Hong-Kongu, Malavi, Timori Lindor dhe Senegali janë përmirësuar më shumë se ne, duke mundur të klasifikohen këtë radhe si një kategori më lart se Shqipëria si vende me “demokraci me të meta”.
Po çfarë janë regjimet hibride? EIU shpjegon se regjimet hibride kanë probleme të thella me parregullsitë zgjedhore që shpesh nuk i lejojnë zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Presioni qeveritar mbi partitë e opozitës dhe kandidatët, mund të jetë shumë i përhapur si fenomen. Dobësitë serioze këtu janë shumë më mbizotëruese sesa në demokracitë me të meta si në drejtim të kulturës politike, funksionimit të ekzekutivit dhe pjesëmarrjes politike. Korrupsioni është shumë i përhapur dhe sundimi i ligjit konsiderohet i dobët. E tillë është edhe shoqëria civile. Tipike e këtyre regjimeve është trysnia mbi mediat dhe fakti që gjyqësori nuk është i pavarur.
Përkrah Shqipërisë në këtë listim janë edhe vende si Venezuela, Mali, Egjipti, Pakistani e Libia, shtete që kanë përjetuar luftë, ose të paktën trazira të forta në dy vitet e fundit.
Re.Pu.
Add new comment