Edi Rama thotë se do të pastrojë dhe jo spastrojë, administratën. Basha në krye të PD? “Asgjë e re”

Postuar në 27 Korrik, 2013 07:14

Në një intervistë për gazetën Dita, kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, është fokusuar tek struktura e re e qeverisë, duke cilësuar si sfidën e tij të parë përzgjedhjen e një ekipi të mirë. Rama ka folur për pastrim dhe jo spastrim të administratës shtetërore, duke hedhur poshtë kritikat që i kanë ardhur nga kundërshtarët. “Dhe pastrimi s’do nisë nga qëllimi për të hequr njerëz, po për të hequr parazitët e panumërt që gëlojnë në strukturën e ekzekutivit nga qendra në gjithë territorin”, thotë ai.

I pyetur për shpenzimet e qeverisë së re, Rama tha se do të bëjë një reformë të thellë rrënjësore për të shpëtuar shtetin nga mbingarkesa e parazitëve në trup. “Po ju jap vetëm një shembull: Administrata civile e Ministrisë së Mbrojtjes ka sot më shumë njerëz se ç’kishte në periudhën pas kapjes së “grupit armiqësor” në ushtri gjatë Luftës së Ftohtë! Një kapicë me struktura parazite që thithin përditë para nga xhepat e popullit e gjak nga trupi i Shqipërisë dhe në këmbim kthejnë korrupsion e kalbëzim të shtetit”.

Për bisedimet me Metën lidhur me qeverinë e re: “Mos na marrim më sysh – thonë plakat. Po realisht deri tani çdo gjë ka shkuar më mirë se shumë mirë. Përtej shakasë, duhet të them se po punojmë me mirëkuptim të plotë dhe po kaq e rëndësishme, me efiçencë maksimale”.

Për numrin e ministrive që do të ketë LSI në qeveri: “Nuk po ndërtojmë një qeveri parcelash, po një qeveri që do funksionojë si skuadër në frymë, strategji, taktikë e aksion”.

Për zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD: “Asgjë e re në atë front”.

 

Intervista e plote http://gazetadita.al/26-korrik-2013/

 

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.