"E kam besuar Berishën si Krishtin..."

“Dola nga burgu kur Sali Berisha ulëriste kundra komunistëve e bënte be e rrufe se të përndjekurit dhe të burgosurit do të ishin kauza e jetës së tij. Atëherë e kam besuar si Krishtin” - thotë Gjergj Ndreca, ish-i burgosuri politik që sot i ka vënë flakën vetes në shenjë proteste - në një artikull mbi të botuar në shtypin e ditës, tri javë më parë.
Prej kur nisi "aksionet e tij radikale" në përpjekje për të tërhequr vëmendjen mbi situatën me dëmshpërblimet e të burgosurve politikë, Ndreca ka qenë shpesh i portretizuar në media. Në një intervistë në fillim të shtatorit ai i thotë gazetares që e interviston: "...Që kur është qëlluar Saliu me miell, pesë burra më shoqërojnë kudo. Po të nis unë të shkoj drejt Parlamentit, do më thonë me lezet që të ndërroj rrugë, po t’i afrohem Kryeministrisë, Kuvendit, po e njëjta gjë më ndodh. Nuk e di të them kush janë, por më ruajnë sikur të isha unë armiku më i madh i këtij vendi”.
Djali i tetë i familjes Ndreca nga fshati Kunaj i Mirditës (e persekutuar për shkak të pjesëmarrjes së një të afërmi në përpjekjet e armatosura antikomuniste në veri), Gjergji kurrë nuk mundi të ndiqte as shkollën e mesme. Në vitin 1964 familja u vendos në Milot. Kur mbushi 20 vjeç vendosi të arratiset. E kapën në pikën kufitare të Qafës së Morinit dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. Dënimin e ka vuajtur në Spaç, Qafë Bari, Burrel dhe në Shën Vasia, në Sarandë.
Gjergji është baba i dy vajzave dhe një djali dhe bashkëshort i Ermirës, e diplomuar për financë, por e papunë. “Ka qenë një dashuri me shikim të parë për fatin tim të mirë dhe të zezën e asaj”, shprehet Ndreca për bashkëshorten. Familja Ndreca jeton në një shtëpi me qira. Dobësia e Gjergjit është djali: “I duket sikur unë kam bërë hatanë dhe duhet t’ia shpjegoj disa herë se s’kam bërë asgjë të keqe e po kërkoj një të drejtën time. Po 10 vjeç është ai. I është bërë dita ferr në shkollë për shkakun tim... Nuk i blej dot një rrobë të re të mirë, megjithëse e kam dritën e syve të mi" - A.N
- Foto LSA: Gjergj Ndreca pas zbritjes nga monumenti i Skenderbeut në qendër të Tiranës në korrik 2012, ku tentoi të vetëvritej në shenjë proteste për dëmshpërblimet e padhëna të burgut
- Për shënimin: U përdorën materiale të botuara nga Shqip, Shqiptarja.Com dhe TemA Online
Add new comment