E humbën lidhjen me popullin dhe jetonin në ishullin e vetëgënjimit

Postuar në 18 Shtator, 2013 04:00

Kim Mehmeti, në një intervistë për gazetën Sot, i pyetur se ç’mendon për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën dhe Sali Berishën, shprehet: “Shumëçka dëshmon se më shumë e donin pushtetin, se sa shtetin dhe popullin e tyre! Duke qenë të tillë, veprimtarinë e tyre mund ta ndash në dy periudha: në atë që ia përkushtuan popullit dhe Shqipërisë dhe në periudhën që ia përkushtuan mbetjes me çdo kusht në pushtet, duke flijuar shumëçka që ka të bëjë me interesin mbarëkombëtar!

Kjo periudha e dytë, ata i bëri që si patericë për mbetjen në pushtet, të përdorin edhe miqësitë me shtetet fqinje, apo me ndonjë aleat të jashtëm. Me çka e humbën lidhjen me popullin dhe jetonin në ishullin e vetëgënjimit, se ata janë e mira e vetme e shqiptarisë.

Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i “milladinëve” e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet! Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare!  Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore. Me çka na e përcjellin porosinë: ju mund të mos na pëlqeni, por neve na pëlqejnë liderët me famë botërore!” a.n.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.