Dy vrasje me stil eliminimi dhe historitë pas “biznesmenëve”

Titujt e mediave online këtë paradite, pas dy vrasjeve në Durrës dhe Bulqizë, i referohen profesionit të viktimave si “biznesmenë”. Teknikisht termi është korrekt: Viktima e Bulqizës, Qerim Marku, 40 vjeç, në fakt merrej me biznesin e kromit, por sipas Shqiptarja.com njihej në qytet si një nga të fortët e zonës. Ndërsa viktima e Durrësit Plarent Cani, është ekzekutuar në sheshin e ndërtimit të pallatit të tij. Por në 2006 ai rezulton të jetë dënuar në Itali me 14 vjet burg për trafik droge, si anëtar i një organizate të trafikut të lëndëve narkotike nga Durrësi në Bari, që kishte transportuar me anë të trajleve, më shumë se 100 kilogramë heroinë në vitin 2001. Pra, pistat e policisë pas këtyre atentateve janë droga dhe kromi, dhe nocioni klasik i biznesmenit nis e sfumohet. Ngjarje të kësaj natyre kanë ndodhur dhe mesa duket, do të vazhdojnë të ndodhin. Për një arsye të njohur: Është shumë e vështirë që pas kësi lloj aktivitetesh, personazhet t’i shkëputen të kaluarës së tyre.
a.k
Add new comment