Dy viktima në punë, bien nga skela punëtorët. Njëri ende i paidentifikuar

Ishin duke punuar prej një jave për disa punime të jashtme në katin e shtatë të një pallati në rrugën “Dora D’Istria” në kryeqytet. Ngjarja fatale ndodhi sot, kur dy punëtorë ndërtimi kanë rënë nga lartësia. Si pasojë e përplasjes njëri syresh ka humbur jetën menjëherë pa mundur të marë ndihmën mjekësore ndërsa punëtori tjetër është nisur spital dhe ka ndërruar jetë rreth orës 17:35 në Spitalin e Traumës në Tiranë. Në bazë të hetimeve të deritanishme mësohet se shkak i aksidentimit të tyre gjatë punës është bërë këputja e skelës, ndërsa policia po merr në pyetje dhe pronarët e pallatit. Sipas policisë njëri nga viktimat është Muhamet Smakaj, 50- vjeç, baba i 6 fëmijëve dhe banues në Bathore. Emri i punëtorit tjetër që humbi jetën ende nuk bëhet i ditur, pasi nuk i është gjetur me vete ndonjë dokument identifikues. Mësohet se një punëtor i tretë, 18 vjeçar, ka shpëtuar paq pasi është mbajtur momentin e fundit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe ekspertët e ISHP-së, të cilët po hetojnë nëse janë zbatuar kushtet ligjore dhe kushtet e sigurisë në punë, por zor që këto të fundit të kenë ndodhur. Kësisoj, viktimat nga pasiguria rrugore po alternohen rregullisht me ata nga pasiguria në punë dhe anasjelltas.
a.k
Add new comment