Dy studime/Uji në Tokë më i vjetër sesa Dielli dhe “Big-Bang” mund të jetë një “mirazh” i vëzhgimit të kozmosit

Postuar në 25 Shtator, 2014 18:30

Dy studime që lidhen me origjinën e kozmosit dhe të jetës në Tokë, mund të rezultojnë thelbësore në ndryshimin e premisave studimore të deritanishme. Së pari një studim i Universitetit të Michiganit i cili sugjeron se uji që gjendet në Tokë, është më i vjetër sesa krijimi i Diellit. Kjo sipas revistës “Space” ka ndodhur për shkak se uji, në formën e akullit ndëryjor i ka mbijetuar procesit të dhunshëm të lindjes së Diellit për t’u inkorporuar mandej në masën e planetit. Si të thuash sugjerohet se bëhet fjalë për një masë akulli, përfshirë ujin,  që pararend krijimin e Diellit,  për shkak se ai është element i përbashkët në krijimin e planetit. Dukuria që vërtetohet me Tokën jep të drejtën e ekstrapolimit se kështu ka ndodhur edhe me eksoplanetët, detektimi i të cilëve deri më tani ka arritur shifrën 2000. Kjo shpjegon sipas studiuesve edhe pse një satelit i Jupiterit si Europa ka kaq shumë ujë, pasi vërtet kërkohet për gjurmë të ujit, por pyetja që kërkonte një përgjigje është se nga vinte ky ujë. Datimi i “moshës” së ujit, i jep përgjigje negative mendimit se uji është krijuar përmes proceseve lokale kimike, si pasojë e lindjes së Diellit(http://www.space.com/27256-earth-water-older-than-sun.html?c...).

Studimi i dytë, mund të rezultojë edhe më radikal për nga pasojat. Kjo pasi ai ka nxitur diskutime mbi vërtetësinë e teorisë së Big Bang-ut. “Livescience” referon një zbulim të muajit mars, sipas të cilit një grup shkencëtarësh kishin gjetur prova të valëve gravitacionale primordiale(të lindura menjëherë pas Big-Bang-ut), çka hipotetizonte vibrimet në hapësirë-kohë, ekzistenca e vetë këtyre të fundit, do të sugjeronte se universi në çastet e para të ekzistencës u zgjerua me një shpejtësi më të madhe se ajo e dritës. Kjo sipas teorisë së inflacionit kozmik, e cila postulon se në kohën nga 10-36 nga Big-Bangu(10 në fuqi minus 36), deri në momentin 10-33-10-32, zgjerimi u krye me një shpejtësi të jashtëzakonshme, për “t’u normalizuar” më tej, por pa u ndërprerë. Mirëpo disa studiues të tjerë, hodhën dyshime mbi këtë nisur nga instrumenti i përdorur për të realizuar vëzhgimin. Dhe në fakt studimi i muajit mars ishte realizuar mbi bazën e vëzhgimeve përmes një teleskopi të stacionuar në Antarktidë(Background Imaging of Cosmic Extragalactic Polarization (BICEP2) ). Nisur nga ky fakt, vërejtja që erdhi ishte se mos valët gravitacionale të kapura, të mund të ishin thjesht pasojë e pluhurit dhe gazit që ndodhet në galaktikën tonë “Rruga e Qumështit”. Pranimi i rezultateve do të vinte nëse edhe instrumente të tjera do të detektonin të njëjtën gjë. Agjencia Europiane e Hapësirës mori në shyrtim të dhënat e mësipërme, mirëpo nuk arrit në konkluzione të njëjta. Qendra Europiane pritet të publikojë raportin e vet më datën 29 shtator, duke shtuar gjithësesi se ndonëse kontaminimi hapësinor nuk mund të shmanget në observimin e kozmosit, madje duke interferuar në të dhënat e marra, sërish në parim, nuk përjashtohet që ekipi i Antarktidës, të mund të ketë rënë në kontaktin me valët fillestare(http://www.livescience.com/47975-big-bang-gravitational-wave...).

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.