Dy papë që kanë vizituar Shqipërinë, Rrok Mirdita: "Të dyja të rëndësishme, por gjithësesi të ndryshme"

Postuar në 13 Shtator, 2014 14:30

Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator, po pritet me mjaft interes nga opinioni publik, ndërsa klerikët dhe administrata po bëjnë përgatitje të shumta për mbarëvajtjen e ceremonive fetare. Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, thotë se Papa Francesku po e mbështet Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, ndonëse e di mirë që varfëria e popullatës është e madhe. Një nga mesazhet e vizitës, sipas tij, është që pasuria shpirtërore e shqiptarëve në shekuj është më e rëndësishme se ajo materiale. Ndërkohë dy dekada më parë Shqipërinë e sapodalë nga diktatura e vizitoi Papa Gjon Pali i Dytë. Por a mund të bëhet një krahasim me vizitën që po kryen tani Papa Francesku? Imzot Rrok Mirdita në intervistën e tij dhënë gazetarit Ilirian Agolli thotë se kemi të bëjmë me dy papë, me dy udhëheqës më të lartë të kishës katolike, pasardhëse të Shën Pjetrit. “Vizitat kanë shumë gjëra të përbashkëta, pa dyshim, por nëse marrim parasysh momentin dhe rrethanat, kanë edhe ndryshime. Papa Gjon Pali i Dytë erdhi për të përcjellë një periudhë shumë të dhimbshme të popullit shqiptar në përgjithësi, dhe në veçanti të kishës katolike, dhe hapi një faqe të re të historisë tonë. Me shugurimin e 4 udhëheqësave të rinj fetarë në Shkodër, ai e rivendosi dhe e ripërtëriu hierarkinë e kishës, aq e domosdoshme, e cila nuk ekzistonte pas shkatërrimit prej diktaturës. Papa Gjon Pali i Dytë dha apelin e një solidarizimi me ato çka kisha ka vajtuar dhe me ato pasoja që i la diktatura komuniste. Ai na dha një inkurajim për të parë në të ardhmen më shumë”, shprehet Imzot Rrok Mirdita. Më pas ai thotë: “Ndërsa sot Papa Francesku nuk përballet me këto probleme. Papa Francesku vjen tani në një Shqipëri e cila, pranë të gjithë problemeve, që sigurisht çdo vend i ka në mënyra të ndryshme, ka një organizim, funksionon si një shtet me strukturat e veta mjaft solide, të organizuar dhe me një mbështetje ndërkombëtare dhe ka bërë shumë hapa”.

 

L.V

 

Intervista e plotë në linkun: http://www.zeriamerikes.com/content/imzot-rrok-mirdita-vizita-e-papes-ne-shqiperi-/2448829.html

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.