Dy (nga shtatë) kërkesat e grevistëve, pas plotësimit të të cilave mund të dilet nga greva

Në një bisedë me ResPublica, një nga koordinatorët e grevës së urisë së ish-të burgosurve politikë, Skënder Tufa thotë se dalja nga greva ka dy kushte të panegociueshme mbi bazën e plotësimit të të cilave mund të nisë dialogu, ndërsa kërkesat e tjera që kërkojnë kohë, mund të trajtohen edhe pas daljes nga greva.
Këto dy kërkesa zoti Tufa i paraqiti mbrëmë edhe në një takim me aktivisten e të drejtave të njeriut Kozara Kati dhe me gazetarët Gjergj Erebara e Adrian Thano, tre pjesëtarë të një grupimi që pritet t'i përcjellë Presidentit të Republikës kërkesën e grevistëve për të rifilluar negociatat në pikën e arritur disa ditë më parë në takimin mes Presidentit dhe përfaqësuesve të grevistëve me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. "Rikthim në pikën zero" - e quan z.Tufa, duke shtuar se ato iu prezantuan edhe Presidentit në takim.
Dy kërkesat në fjalë kanë të bëjnë me pagesën e menjëhershme të një pjese të dëmshpërblimeve dhe me firmosjen e vendimit për një pension të posaçëm për ish-të përndjekurit. "Kërkojmë jo më pak se 40 mijë lekë në muaj, një minimum për të jetuar, nuk është ndonjë shumë e madhe në total. Merreni me mend, merr pension edhe Arianit Cela, - thotë Tufa dhe shton: "Për këtë pikë dhe për pagimin e menjëhershëm të një pjese të dëmshpërblimeve, - i saktësuam cilat, - u ra dakord në takimin me Presidentin".
Grevistët e sfilitur kanë patur këto ditë dy përpjekje paralele: asaj të parës me kërkesat e tyre (që janë gjithsej 7) iu shtua tri ditët e fundit një konflikt me policinë për çështjen e së drejtës së menaxhimit të grevës. "Sjellja e tyre brutale me grevistët u bë shkas për ngecjen e marrëveshjes me Presidentin - tha z.Tufa në takimin e mbrëmshëm me Katin, Thanon e Erebarën, - nuk e kuptoj se si një polic mund të vejë në diskutim autoritetin e Presidentit".
Për zgjidhjen e problemeve me policinë (asaj që koordinatori Tufa e quajti "rikthim i grevës në normalitet") duhej që policia të rilejonte ujin, lëngjet, ilaçet, takimet me familjarët dhe kontaktet e grevistëve me dy koordinatorët e grevës Tufa e Patrioti. "Ndërhyri Avokati i Popullit, u detyrova për shkak të rëndesës së gjendjes së grevistëve që të flisja disi rëndë për të, por më pas u takuam, e vërteta është që ai dhe ekspertët e tij janë të vetmit që na kanë qëndruar vazhdimisht pranë, ishin me ne edhe të shtunë të dielë që janë ditë pushimi, - thotë Tufa për Totozanin.
Rikthimi i grevës në normalitet dhe korrektimi i sjelljes së policisë, mund të konsiderohet çështje thuajse e zgjidhur, ndërsa ajo që z.Tufa quan "rikthim i negociatave në pikën zero", pra pranimi nga qeveria i 2 kërkesave të panegociueshme dhe dialogu pas daljes nga greva për 5 të tjerat, është diçka që kërkon impenjim urgjent dhe të shumënashëm. Një grupim nga media dhe shoqëria civile pritet të angazhohet fillimisht për ta prezantuar këtë mundësi.
Të paktën tre nga ish-të përndjekurit e komunizmit që kanë hyrë në javën e katërt të grevës së tyre të urisë janë në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që Ndreca e Bejko po kurohen jashtë vendit të djegur në 40 deri 50 përqind të trupit. Ata e "blenë" me trupin e tyre vëmendjen publike, por ende jo solidaritetin masiv qytetar. (A.N.)
Foto: Mero Baze dhe Mustafa Nano, duke firmosur një peticion në mbeshtetje të grevës së urisë së ish- të përndjekurve politikë, dje gjatë një proteste përpara kryeministrisë. (LSA)
Add new comment