Dukagjin, pranga për 19 vjeçarin që shtiu ndaj policisë. Arrestohet edhe kryeplaku

Nga dhjetë të kërkuarit e policisë, arrestohet një nga autorët e dyshuar që qëlluan me armë kundër helikopterit që monitoronte nga ajri punën e policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit antikanabis në zonën e Dukagjinit. Bëhet fjalë për shtetasin Pal Dushku, vjeç 19, banues në Fshatin Plan, Komuna Pult.
Dushku dyshohet se gjatë operacionit për asgjësimin e bimëve narkotike ka kundërshtuar shërbimet e policisë, që po asgjësonin sipërfaqet e konstatuara të kultivuara me bimë narkotike në këtë zonë. Po ashtu nga hetimet e deritanishme ky shtetas dyshohet dhe si një nga autorët që kanë qëlluar me armë zjarri Helikopterin e Policisë. Po ashtu në pranga ka rënë dhe shtetasi Gjon Bungu, vjeç 52, banues në Plan, duke qenë se në detyrën e Kryeplakut të Fshatit Pult, nuk ka zbatuar ligjin për të njoftuar organet e policisë për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin e tij. Po sot, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilloi një takim me pilotët që u sulmuan në zonë e Dukagjinit gjatë aksionit policor antikanabis, duke vlerësuar aktin e tyre.
a.k

Add new comment