Dritan Egro flet për "pengesat metodologjike në studimin e periudhës së Skënderbeut". Një “risi” edhe për rolin e shqiptarëve në betejën e Fushë-Kosovës

Postuar në 09 Gusht, 2014 06:40

Historiani Dritan Egro ka dhënë një intervistë për “KosovaPress” në të cilën flet për çështje që lidhen me periudhën e Skënderbeut, ngjarjet që i paraprinë, apo edhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit. Egro priret të jetë “korrigjues”, ose më mirë plotësues i kontekstit, apo edhe përmasave të ngjarjeve të asaj kohe. P.sh një pyetje e intervistës është që në formulim me natyrë “polemizuese”. “Çfarë gabimesh janë bërë me historinë e Skënderbeut?”. Egro thotë se duhet plotësuar konteksti. “Vetë Skënderbeu duhet vendosur më thellë në kohë. Është një produkt i shekullit të 15-të, por pararendësit e tij, familjet tij dhe familjet e tjera më përpara e kanë filluar historinë shumë më herët për të qenë pjesë e integruar e historisë së Ballkanit, dhe dy gjëra janë bërë gabim deri më sot; veçimi i historisë mesjetare të Shqipërisë nga pjesët e tjera të Ballkanit, dhe e dyta ngurtësimi i saj brenda kufijve politikë të shtetit shqiptar. Këto janë dy pengesa metodologjike, çlirimi nga të cilat do të sjellë një dimension krejt tjetër të historisë së rajonit dhe dimensionin shqiptar me të gjitha ngritjet e saj brenda kësaj pjese”. Më tej akoma edhe një mendim i Egros për ngjarje që janë mitizuar, apo edhe mistifikuar deri diku. Një është beteja e Fushë Kosovës, të cilën të paktën historiografia serbe e ka dhënë si një konflikt që krediton mandej ndarjen qytetërimore dhe fetare mes ballkanasve. “Në betejën e Kosovës, trupa shqiptare ka pasur si në krahun e koalicionit ashtu edhe në krahun osman. Kështu që duhet studiuar me kujdes siç ka pasur dhe elementë të tjerë etnikë të Ballkanit, serbë apo bullgarë si në krahun e koalicionit antiosman ashtu edhe në ushtrinë osmane. Pasi një palë ishin vasal të osmanëve dhe një palë ishin pretendentë për të rënë në vasalitetin osman. Dhe kjo bën që historia të jetë shumë më e larmishme, shumë më me ngjyra dhe të jetë shumë më interesante për tu parë në realitet se si ka ecur kjo ngjarje”, thotë Egro.

http://www.gazetaexpress.com/lajme/epoka-e-skenderbeut-si-i-lakmonte-sul...

s.z 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.