Drejtësi në 100 ditë

Postuar në 03 Janar, 2013 12:52

Në Nju-Delhi nisi nën masa të mëdha sigurie procesi kundër përdhunuesve të supozuar të një të reje studente. Akuza është për vrajse, përdhunim, pengmarrje dhe grabitje. Aktpadia, në të cilën paraqiten imtësisht ngjarjet e 16 dhjetorit 2012 thuhet të jetë 1.000 faqe e gjatë. Akuzua mbështetet kryesisht në dëshminë e viktimës dhe të shokut të viktimës, i cili po e shoqëronte atë për në shtëpi pak pas vajtjes në kinema në orën 21:00. Aktpadia përshkruan sesi çifti i ri u tërhoq në një autobus privat nga keqbërësit e dyshuar dhe sesi papritur autobusi ndoqi një rrugë tjetër nga ajo për të cilën ishte rënë dakord. Kur gruaja u sulmua seksualisht nga burra të pirë, shoku i saj u përpoq që ta mbronte, thuhet më tej. Të akuzuarit e rrahën atë me një shufër hekuri dhe nisën ta përdhunonin gruan njëri pas tjetrit. Ajo u torturua brutalisht me një levë të ndryshkur. Pas një ore çiftit të ri i grabitën ç'kishin dhe i hodhën nga autobusi gjysmëlakuriq dhe të gjakosur. Përveç kësaj thuhet se të akuzuarit kanë tentuar t'i shtypin viktimat. Në tre operacione urgjente gruas u desh t'i hiqej e gjithë zorra. Ajo pësoi edhe dëmtime të trurit dhe vdiq të shtunën e kaluar (29.12.2012) në një spital të specializuar në Singapor nga mosfunksionimi i organeve. Edhe mjekët që e trajtuan raportohet të jenë në mesin e dëshmitarëve. Rasti tronditi të gjithë Indinë dhe shkaktoi protesta të dhunshme. Tani thuhet se procesi duhet të përfundojë për 100 ditë. Qeveria indiane u ndje e shtrënguar ta premtonte këtë me urgjencë përballë zemërimit në popull. Për këtë u ngrit enkas një gjykatë speciale. Në të procesi do të zhvillohet në shtatë ditë të javës. Megjithatë, analistët thonë se në një vend si India, ku mullinjtë e drejtësisë bluajnë aq ngadalë sa të mërzisin, ky objektiv është ambicioz. Për këtë arsye presidenti i Gjykatës Supreme në Indi, Altamas Kabir, paralajmëroi: "Duhet të bëjmë kujdes që të mos rrëmbehemi prej emocioneve. Një proces i shpejtë nuk duhet të zhvillohet në kurriz të një procesi të drejtë." Sipas përllogaritjeve në Indi vazhdojnë ende vetëm për përdhunime 40.000 procese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.