A do të ketë tifozë shqiptarë në ndeshjen Serbi-Shqipëri? “Panorama Sport” shkruan se një përfaqësi i ka kërkuar FSHF-së të sigurojë bileta

Më 14 tetor zhvillohet që në Beograd të zhvillohet ndeshja Serbi-Shqipëri, që bën pjesë në kuadër të Grupit I të kualifikimeve për Euro 2016 ku zënë vend edhe Portugalia, Danimarka e Armenia. Siç është e kuptueshme ndeshja kalon caqet e një përballjeje futbollistike sidomos nëse tifozët respektivë do të jenë në fushën kundërshtare. “Panorama Sport” shkruan sot se tifozët e kombëtare shqiptare kanë kërkuar gjithsesi nga Federata Shqiptare e Futbollit që të mundësojë pjesëmarrjen e tyre në ndeshjen e Beogradit. “Një përfaqësi i grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe një e “Plisave” kanë zhvilluar dje një takim në FSHF me sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe e kanë njoftuar atë se dëshirojnë që FSHF të sigurojë bileta për tifozët e saj në ndeshjen që do të luhet në Beograd. Nga ana e Shulkut mësohet se ka pasur gatishmëri totale për t’u krijuar sa më shumë lehtësira tifozëve, ndonëse ky i fundit u ka kërkuar disa herë që të jenë të përmbajtur dhe të rishohin vendimin e tyre për të udhëtuar drejt Beogradit. E gjitha kjo, pasi sipas tij kjo ndeshje pritet të marrë më tepër sesa duhet ngjyra nacionaliste dhe për këtë shkak rreziku për incidente është më i madh. Tifozët kanë këmbëngulur që FSHF të rezervojë biletat për tifozët e vet, konform rregullores së FIFA-s (5% e stadiumit). Ata janë të vendosur që të udhëtojnë drejt Beogradit për të mbështetur kombëtaren e tyre në një ndeshje kaq të rëndësishme. Ndërkohë, burime pranë FSHF-së bëjnë me dije për “Panorama Sport” se një arsye pse tifozët shqiptarë duan të jenë të pranishëm në stadium, është edhe fakti se kanë informata se në ndeshjen e kthimit, atë që do të luhet në Tiranë më 8 tetor të vitit 2015, ultrasit serbë do të udhëtojnë drejt Elbasanit”, shkruhet ndër të tjera nga “PS”. Me këtë rast duhet kujtuar një koincidencë: vetëm 8 ditë pas ndeshjes në Beograd udhëton kryeministri shqiptar Edi Rama.
http://www.panorama-sport.com/kombetarja/shqiptaret-sfidojne-priten-tifo...
s.z
Add new comment