Djalli fshihet në detaje, ndryshimi i çmimit të energjisë prek afro 76% të konsumatorëve familjarë

Postuar në 11 Tetor, 2014 09:41

Deklarata  e ministrit të Financave Shkëlqim Cani për ristrukturim të çmimit të energjisë elektrike u jep fund dilemave të opinionit publik për një çështje kaq të ndjeshme. Qeveria  vendosi të mos e vazhdojë më lojën e ka kush e ka dhe të konfirmojë thënien popullore se ku ka zë nuk është pa gjë. 'Mandata' kësaj radhe erdhi  nga Uashingtoni. Rastësi ose jo, është e njëjta praktikë që qeveria ndoqi edhe në çështjen e armëve kimike, kur ministri Ditmir Bushati pranoi në një intervistë për gazetën “Lë Monde” se qeveria shqiptare ishte kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara për asgjesimin e lëndëve helmuese siriane. Edhe pse metodika për llogaritjen e çmimit të energjisë elektrike përfshin një sërë institucionesh, barrën për t’ia komunikuar publikut faturën e re që do mbajnë mbi shpinë e mori ministri që mban kuletën e qeverisë.  U tha se çmimi nuk rritet, por ndryshon, nga me fasha bëhet pa fasha, nga i ulët dhe i lartë bëhet mesatar dhe se qeveria do të mbrojë shtresat në nevojë.  Në fund të gjithë do paguajmë më shumë për të rregulluar bilancet e OSHEE-së dhe për të nxjerrë faqebardhë qeverinë në raport me FMN-në dhe Bankën Botërore. Do të detyrohemi ta shtrëngojmë akoma rripin ndonëse para fushatës na u premtua nga kandidati për kryeministër i Aleancës për Shqipërinë Europiane  se TVSH-ja për energjinë elektrike për familjet në nevojë do të ulej nga 20 në 6%. Deri tani ky premtim rezulton të jetë i pavërtetë. Por djalli fshihet në detaje, këtë e di shumë mirë FMN-ja dhe BB-ja që kanë treguar mënyrën sesi shkohet tek rritja e çmimit duke mos qenë  peng i së shkuarës. Aq më tepër kur edhe negociatorët e ngarkuar nga qeveria shqiptare  janë të gatshëm të gjejnë një hile për të dalë nga sikleti me popullin. E vërteta e hidhur është se ndryshimi i çmimit, siç pëlqen ta thotë qeveria, do të prekë afërsisht 80 për qind të popullsisë. Kjo, pasi konsumatorë të bllokut deri në 300 kilovat orë, sipas shifrave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2013, janë 76.3 % e familjeve shqiptare. "Duhet theksuar se sipas nivelit të konsumit, domethënës është fakti se rreth 76.3% e të gjithë konsumatorëve familjarë i përkasin bllokut të konsumit deri 300kWh/muaj me një rritje rreth 1% në krahasim me vitin 2012", thuhet në faqen nr. 57 të raportit të entit për vitin 2013. Ndërkohë vetë ERE shprehet e padisponueshme për të dhënë shifrat aktuale të konsumit familjar.

l.m

Comments

Submitted by dok. dagllas. m (not verified) on

<p>te kesh energjine tende hidrike me te miren ne europ, dhe ta pagush me shtrenjt se nje vend tjeter ballkanik.</p><p>viktor hygo......luften e bejne heronjte......qeverisin maskarrenjte.....perfitojne horrat.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.