Dita Botërore e Shtypit, "Koha Jonë": Shtypi shqiptar i varfër, censura vjen nga pronarët

Postuar në 30 Prill, 2014 04:08

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazeta “Koha Jonë” analizon situatën aktuale, duke evidentuar se sfida kryesore me të cilën përballet media sot është presioni ekonomik, që sjell edhe autocensurën.  Referuar artikullit, në shumicën e mediave, ka varësi ekonomike nga shteti dhe censura vjen nga pronarët e mediave e jo direkt nga qeveria. Kjo, cilësohet nga autori, si më vrastare për median shqiptare.

 

Sot, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

Sot, në dukje, është një ditë si gjithë të tjerat, porse quhet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit dhe ndaj mbart emocion për qarqet mediatike. Data 3 maj është një datë e madhe edhe më e gjerë për ne njerëzit e medias, pasi nga varësia se sa shtypi është i lirë dhe i pavarur, vjen edhe treguesi i shkallës së demokracisë në një vend. Shqipëria ka një histori të veçantë, pasi në fillimet e veta, ndonëse u quajtën fillime demokratike në vitin 1992, por faktet janë skalitur në memorie dhe nuk mund të harrohet dueli i madh mes pushtetit ekzekutiv e politik e një shtypi të lirë që po lindte, e ku natyrisht, pararoja e gjithë shtypit të asaj kohe të vështirë ka qenë gazeta “Koha Jonë”. Në këtë gazetë dhe në dy gazeta të tjera të rëndësishme të asaj kohe, si në “Gazeta Shqiptare” e Carlo Bolinos dhe “Albania” e Ylli Rakipit dolën emrat e parë profesionistë, të cilët edhe sot drejtojnë median në Shqipëri.

Pa e shkelur sensin e modestisë, mund të themi se “Koha Jonë” mbetet legjendarja e kurajës dhe e shkrimeve kritike, e një shtypi krejt të lirë dhe për të cilën mori ndëshkim nga pushteti qeverisës me arrestime, çështje penale ndaj gazetarëve, rrahje deri në masakër, si rasti i Zamir Dules, apo djegia nga SHIK-u e Policia e Shtetit e krejt redaksisë së “Koha Jonë”, natën e 2 marsit 1997 sapo u vendos ligji i Gjendjes së Jashtëzakonshme. Edhe më pas ndër vitet të mëvonshme kishte represion nga qeveritë, por jo si në vitet 1992-1997. Në këto vite dhe deri sot, kur flasim në këtë datë 3 maj 2014, shtypi ka kaluar një kalvar tjetër, atë të autocensurës, pasi vargonjtë ekonomikë janë lidhur kaq mjeshtërisht nga qeveritë e radhës, aq sa nuk mund të themi se kemi shtyp të lirë e pavarur. Ka evoluar teknologjia, informacioni është i shumëllojshëm, por nuk ka prapë shtyp të lirë.

Nuk ka gazetari investiguese në një kohë dixhitale të sofistikuar. Edhe kur ka investigim, presioni ekonomik qeverisës bën punën e tij, duke ua mbyllur gojën me një mijë mënyra. Në botën e medias shqiptare kanë ndodhur ndryshime të mëdha; kanë hyrë pronarë në media që vijnë nga skalione ekonomike të dyshimta, ashtu sikurse ka edhe biznesmenë korrektë e që duhen përgëzuar. Por në shumicën e mediave, ka varësi ekonomike nga Shteti dhe censura vjen nga pronarët e mediave e jo direkt nga qeveria. Kjo është më vrastare, pasi ky lloj pronari censuron median për interesa private ekonomike. Më pak fjalë, sot shtyp i lirë dhe i pavarur, do të thotë edhe shtyp i varfër.

/Koha Jonë/

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.