Dhuna ndaj gazetarëve të A1 Report në Lazarat, reagon deputeti Peza në emër të PS

Sulmi ndaj një grupi xhirimi dhe gazetarësh të A1 Report, të ndodhur në terren në operacionin policor të Lazaratit, që u qëlluan me automatik nga persona të maskuar dhe të armatosur, është dënuar ashpër nga Partia Socialiste përmes deputeti Alfred Peza, nënkryetar i komisionit të medias. Gazetarët u nxorrën nga makina dhe u mbajtën peng për rreth 15 minuta nga trafikantët të cilët ishin të maskuar. “Na kanë mbajtur të izoluar. Është qëlluar edhe automjeti ku po udhëtonim. Në momentin e parë na është afruar një person, dhe brenda pak minutave kemi parë 4 persona dhe në momentin që po ndërronin karikatorin kanë ndërhyrë banorët që kanë shpëtuar”, u shpreh Gerti Xhaja pas sulmit të bërë ndaj A1 Report.
Më pas grupi i televizionit të A1 Report, është marrë nën mbrojtjen e policisë dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Partia Socialiste dënon ashpër aktin e rëndë kriminal të një grupi banorësh të cilët kanë ndaluar, goditur dhe marrë peng nëpërmjet dhunës verbale dhe grykës së armëve një grup gazetarësh të A1 Report”, deklaroi Peza, duke falenderuar nga ana tjetër, të gjithë banorët që u distancuan nga ngjarja e rëndë.
a.k
Add new comment