Deklarata e BB për CEZ, Rama dhe Basha replika me njëri-tjetrin në rrjetet sociale

Postuar në 08 Gusht, 2014 14:17

Deklarata e Bankës Botërore ku cilësohej si “zgjidhje e drejtë” marrëveshja e arritur nga qeveria shqiptare me kompaninë çeke CEZ për kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë ka sjellë reagimet e kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të PD-së Lulzim Basha. Deklarata e BB-së ka ardhur në një kohë që mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në debate të forta rreth marrëveshjes që i dha fund përballjes gjyqësore të shtetit shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar.

Sipas mazhorancës, marrëveshja ku pala shqiptare paguan 95 milion euro në 4 vite ishte zgjidhja më e mirë në kushtet kur shteti shqiptar nuk kishte shanse të fitonte dhe “e keqja më e vogël” që mund të arrihej në këto kushte. Ndërsa sipas opozitës, marrëveshja e arritur është një “megaskandal financiar” pasi pala shqiptare duhej të kërkonte dëmshpërblim nga kompania çeke.

Në mesin e këtij debati është futur sot Banka Botërore, e cila pasi njoftoi sukses në negociatat për mbështetjen e reformave në sektorin energjetik me 150 milion dollarë, dha edhe vlerësimet pozitive për marrëveshjen e arritur.  Pas vlerësimeve të Bankës Botërore, ka qenë kryeministri Edi Rama ai i cili e ka “përdorur” këtë qëndrim publik si “çertifikim” të suksesit të arritur nga qeveria.

“Banka Botërore bën publike mbështetjen e plotë dhe vlerësimin për marrëveshjen me CEZ! Apo edhe BB dëshmitare e rreme si FMN? #VajmedetPD” shkruan Rama në rrjetet sociale. E përmes rrjeteve sociale është kundërpërgjigjur (si ndër të rrallat herë) edhe rivali i tij politik Lulzim Basha, që  e përmend fjalën “patericë” në qëndrimin e tij. “Nuk ka patericë që e shpëton dyshen Rama -Meta nga transparenca për vjedhjen e shekullit! Çdo shqiptar paguan 1,1 milionë lekë nga marrëveshja e paligjshme dhe antikushtetuese me CEZ! Orën e të vërtetës nuk ka forcë mbi toke të ndalë” shkruan Basha.

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.